Lidhje

Kuponat e shkollimit objekt debati në Uashington

  • Laurel Bouman

Kuponat e shkollimit objekt debati në Uashington

Kuponat e shkollimit objekt debati në Uashington

Pak diskutime rreth arsimit kanë nxitur një debat të ndezur, si ai për kuponat e shkollimit. Kuponat lëshohen nga qeveria dhe me anë të tyre prindërit ndihmohen për të paguar shkollat private për arsimimin e fëmijëve. Kritikët thonë se ky program, merr burime të cilat mund të përdoreshin për sistemin e shkollave publike. Por familjet dhe nxënësit që janë pjesë e programit të kuponave qeveritare thonë se në saj të tij, cilësia e arsimimit të tyre është rritur ndjeshëm.

Është e mërkurë në mëngjes, në një orë fizkulture në shkollën DC Prep këtu në Uashington. Kjo është një shkollë private. Në këtë shkollë ka rreth 90 nxënës nga sistemi parashkollor deri në gjimnaz. Pagesa prej 11 mijë dollarësh në vit, është e shtrenjtë për prindërit me të ardhura të ulëta. Por Lestina Wallace thotë se shkolla private ka hapur një botë të re për vajzën e saj Nyjah.

“Në shkollën tjetër ku pat shkuar, ajo nuk dha rezultate. Atje ajo ndihej keq e madje i thanë se ajo nuk mund të lexonte”.

Nyjah tani lexon rrjedhshëm. Ajo, dhe shumë nxënës të tjerë si ajo, kanë marrë ndihmë në trajtën e kuponave nga qeveria federale për të paguar detyrimin vjetor ndaj shkollës. Prindërit thonë se shkolla është një alternativë e sigurtë dhe e disiplinuar, krahasuar me shkollat publike të lagjes s tyre. Në këtë shkollë fëmijët e tyre po japin më të mirën.

“Më është dhënë mundësia të jem në një shkollë ku jam i disiplinuar dhe nuk jam i zhurmshëm si në të kaluarën”.

Babai i Dominukut, Xhozef Kelli, përdor kuponat qeveritare për t’u dhënë tre vajzave të tij arsimim privat. Kelly ka rritur 11 fëmijë, disa prej tyre të birësuar. Ai thotë se fëmijët kanë vështirësi në shkollat publike.

“Kur shkoja në shkollat publike, për t’u takuar me përfaqësuesit e shkollës, ata më prisnin me zor. Ndërsa këtu, të gjithë të mirëpresin”.

Kelly thotë se ai dhe prindërit e tjerë në shkollës Prep DC kanë qëllime të përbashkëta. Mundësia e përzgjedhjes së shkollës, thotë ai, ishte ajo që e bindi të regjistrohej në programin e kuponave.

“Unë dua të kem të drejta si kushdo. Nëse dikush ka 1 milion dollarë dhe i dërgon fëmijët në shkollë private, edhe unë që kam vetëm 4 dollarë, duhet të kem të drejtë t’i shkollojë fëmijët në shkollën e duhur”.

Programet e arsimimit përmes kuponave qeveritarë po shtohen në të gjithë vendin. Fondacioni për Përzgjedhjen e Arsimimit, një grup që e mbështet këtë program, thotë se ligji i cili mbështet shkollimin privat ka kaluar ose është në pritje në një numrë shtetesh. Propozimet e reja ligjore do të përmirësojnë fondet nga qeveria dhe do t’u lehtësonte sistemin e taksave prindërve që zgjidhnin shkollat private.

Konservatorët e mbështesin këtë lëvizje. Por kritikët thonë se ky program e vendos vendin në rrugën drejt privatizimi të sistemit arsimor.

Kryebashkiaku i Uashingtonit Vincent Gray është mes kritikëve. Policia nën administrimin e tij e arrestoi kur ai mori pjesë në një protestë kundër vendosjes së sistemit të kuponave të dhëna nga qeveria federale në sistemin shkollor të Uashingtonit.

Nathan Saunders, president i Sindikatës së Mësuesve të Uashngtonit, thotë se shtimi i vëmendjes ndaj programit me kupona është një prirje shqetësuese.

“Ajo që bëjnë kuponat është zhvendosja e debatit pët përmirësimin e shkollave publike. Kjo prirje e mënjanon këtë debat”.

Ai shton se zgjedhjet e prindërve nuk janë shumë të thelluara.

“Kuponat qeveritare që merr një student në Uashington arrijnë afërsisht 7,500 dollarë në vit. Nëse ju doni të çoni fëmijën në shkollën ku i çon presidenti Obama, duhet të paguani 30 mijë dollarë në vit. Atëherë, si do të plotësohet kjo diferencë?”

Të dyja paltë kanë ndjeshmëri të lartë mbi debatin, ndërsa Departamenti i Arsimit po studion argumentat e dhëna nga secila palë. Studimi tregon se ka përmirësime modeste në të lexuar tek nxënësit në Uashington që mbështeten nga kupinat qeveritare, por nuk shihet përmrësim në matematikë në krahasim me shkollat publike. Megjithatë, përqindjet e diplomimit mbeten më të larta mes nxënësve të këtij programi dhe prindërit thonë se janë shumë më të kënaqur. Duket se kështu, ndjehen dhe fëmijët e tyre.

XS
SM
MD
LG