Lidhje

Kuqi: Beogradi nuk vendos më për Kosovën

  • Leonat Shehu

Kuqi: Beogradi nuk vendos më për Kosovën

Kuqi: Beogradi nuk vendos më për Kosovën

Fillimi i muajit shtator, pritet të shënojë edhe rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të cilat qenë ndërprerë në mesin e muajit korrik për shkak të mosgatishmërisë së Beogradit për të njohur vulat doganore të Kosovës. Zyrtarë të Serbisë thanë se zgjidhja e çështjes së këtyre vulave është një nga kushtet që Serbia të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedime, Borisllav Stefanoviç, u ka deklaruar medieve serbe se Beogradi do të propozojë dy palë vula doganore. në njërën të shkruajë “Dogana Kosovë” e në tjetrën, “UNMIK-Shërbimi Doganor i Kosovës”, ose “EULEX- Shërbimi Doganor i Kosovës”. Në vulat aktuale shkruan vetëm doganat e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi i cilësoi si nxitëse deklaratat e tilla ndërsa tërhoqi vërejtjen se Beogradi nuk mund të vendosë më për Kosovën.

“Mos u nxitni nga deklaratat e papërgjegjshme të kujtdo nga Serbia. Keni më shumë kujdes se çka flet Prishtina, Brukseli e Uashingtoni. Çka fol Beogradi më pak. Prishtina thotë se është e koordinuar plotësisht me sovranitetin, identitetin shtetëror me Brukselin e Uashingtonin. Beogradi më as nuk flet e as nuk vendos për Kosovën”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

Mosnjohja e vulave doganore të Kosovës nga ana e Serbisë, çoi në ndërprerjen e bisedimeve në mesin e muajit korrik. Disa ditë më pas Kosova vendosi që të ndalojë importet tregtare nga Serbia duke ju kundërvënë një mase që Serbia e kishte vendosur kundruall Kosovës në vjeshtën e vitit 2008. Më 25 korrik qeveria e Kosovës filloi një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe në funksion të zbatimit të vendimit për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës.

Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut një komunë me shumicë serbe ne veri. Dhuna bëri që kontrollin në vendkalimet kufitare në veri ta marrin përsipër forcat e NATO-s të cilat i shpallën ato vendkalime si zona të kufizuara ushtarake. Kjo situatë pritet të zgjasë deri nga mesi i muajit shtator.

Operacioni nuk ishte mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit gjë që nxiti reagime të shumta në Kosovë. Por, zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi i cilësoi të mira marrëdhëniet e institucioneve të vendit me EULEX-in.

“Qeveria e Kosovës ka vullnet për bashkëpunim me Eulex-in, asnjëherë qeveria nuk e ka vënë në dilemë bashkëpunimin me Eulex-in. Ne kemi pasur logjikën e dinamikës së punës dhe shpeshherë dinamika e punëve tona kanë qenë më të shpejta, por gjithmonë kemi menduar se bashkëpunimi ka sukseset më të mëdha”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

Autoritetet e sigurisë thonë gjendja në veri është e qetë, ndërsa ende nuk është zbatuar në tërësi marrëveshja e arritur nga KFOR-i me qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë për tejkalimin e situatës. Një nga rrugët kryesore që çon në vendkalimet kufitare vazhdon të mbahet e bllokuar nga protestues serbë që nuk pajtohen me përpjekjet e qeverisë së Prishtinës për vendosjen e kontrollit në kufijtë e verior të Kosovës.

XS
SM
MD
LG