Lidhje

Festohet Kurban Bajrami në Tiranë


Kurban Bajrami është një festë e shenjtë ku shprehen cilësitë më të larta të besimit musliman

Mijëra besimtarë muslimanë shqiptarë festuan sot Kurban Bajramin, një nga ditët më të rëndësishme të fesë së tyre. Të rritur e të vegjël, burra dhe gra, ata u mblodhën pranë xhamive në çdo lagje të kryeqytetit, qysh herët në mëngjes, ndërsa faljen e namazit, fjalimet dhe ceremonitë e tjera i kryen në shëtitoren Dëshmorët e Kombit.

Kurban Bajrami është një festë e shenjtë ku shprehen cilësitë më të larta të besimit musliman. Oratorët fetarë theksuan edhe atdhedashurinë e tyre, bashkë me ndihmën për shtresat e varfëra dhe përkushtimin ndaj besimit të tyre fetar.

Udhëheqësit fetarë ua drejtuan lutjet besimtarëve me virtutet e tyre të bamirësisë dhe dashurisë për njerëzit, sidomos për ata që kanë më shumë nevojë. Ata nderuan edhe gjithë ata shqiptarë që po kryejnë pelegrinazhin në Mekë, duke përmendur edhe 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar.

Kurban Bajrami është pjesë e rëndësishme e traditave fetare të popullit shqiptar. Me tolerancë dhe harmoni me fetë e tjera, besimtarët muslimanë tregojnë përkushtimin e tyre për të arritur vlerat më të larta njerëzore në shoqërinë shqiptare.
XS
SM
MD
LG