Lidhje

Shpresa të reja për krijimin e një shteti kurd

  • Jerome Socolovsky

Pranvera Arabe dhe zhvillime të tjera në rajon kanë zgjuar aspiratat e 30 milionë kurdëve për realizimin e ëndrës së pavarësisë

Kryengritjet që shoqëruan Pranverën Arabe në Lindjen e Mesme u kanë dhënë 30 milionë kurdëve që jetojnë në Irak, Turqi, Siri dhe Iran, shpresa të reja për realizimin e ëndrrës së tyre për pavarësi. Por siç mësojmë në minutat në vazhdim, realiteti i ndërlikuar e bën të vështirë konkretizimin e kësaj aspirate.

Është ora e drekës dhe në një restorant të ri kurd në Uashington po përgatiten qebapët. Hekmat Bamarni erdhi këtu nga Iraku verior në vitet 1970. Ai takohet me një tjetër luftëtar kurd për pavarësinë:

“Si kurdë, të gjithë kemi ëndrra si njerëzit e tjerë – si turqit, arabët, iranianët. Edhe ne duam pavarësinë”.

Por kurdët në Irak dhe vende të tjera kanë duruar shtypje të rënda gjatë luftës për pavarësi. Si pakica më e madhe etnike në Lindjen e Mesme pa shtetin e tyre, kurdët dikur ishin të përqëndruar vetëm tek kryengritja e armatosur për kauzën e tyre.

Por ndërhyrja ushtarake amerikane në Irak, revoltat e Pranverës Arabe dhe zhvillime të tjera të kohëve të fundit i kanë forcuar ambicjet e tyre politike.

Denise Natali është eksperte për Lindjen e Mesme në Universitetin për Mbrojtjen Kombëtare në Uashington:

“Pa diskutim që ballafaqohemi me një moment ndryshimesh interesante për kurdët dhe për ata që studiojnë historinë e kurdëve, pasi duket se ata kufij që u vendosën në periudhën e formimit të shteteve po rrëzohen”.

Kjo situatë duket e realizueshme në Siri, ku kurdët kanë marrë nën kontroll një pjesë të madhe të rajonit veri-lindor të vendit, gjatë kryengritjes anti-qeveritare.

Ndërkaq në Turqi, kurdët po shfrytëzojnë liri të papara deri tani për të fshirë gjurmët e diskriminimit dhe izolimit. Në Iran, qëndrimi i Perëndimit ndaj regjimit të Teheranit si rezultat i ambicjeve bërthamore të vendit u ka dhënë kurdëve shpresa për ndryshim.

Ndërkaq në Irak, kurdët kanë në dorë administratën e tyre që nga momenti i rrëzimit të regjimit të Sadam Huseinit.

Por zonja Natali thotë se vetë-qeverisja i ka detyruar udhëheqësit kurdë të ballafaqohen me realitetin gjeopolitik.

“Rajoni kurd në Irak nuk ka dalje në det, prandaj begatia dhe funksionaliteti i tij ekonomik varet nga kufijtë e hapur dhe marrëdhënie pozitive, ose së paku të menaxhueshme me vendet fqinje”.

Zonja Natali thotë se vendet fqinje shpesh nxisin konflikte mes fraksioneve kurde.

Michael Rubin, ish-zyrtar i Pentagonit, tani analist në institutin American Enterprise, thotë se vetë udhëheqësit kurdë shpesh nxisin me fjalë nacionalizmin, megjithëse e kanë të qartë realitetin gjeopolitik:

“Sapo jam kthyer nga Kurdistani dhe në radhët e studentëve, profesorëve, intelektualëve, me përjashtim të politikanëve ekziston ky shqetësim i dukshëm se pavarësia është fare pranë, por vendet fqinje dhe vetë politikanët kurdë do ta pengojnë arritjen e saj pasi nuk janë kurrë në gjendje të arrijnë konsensus”.

Por zoti Rubin thotë se brezi i ri i kurdëve, i frymëzuar nga rinia arabe, nuk do të jetë shumë i duruar me politikanët e tij, ndërkohë që sheh përfitimet që ka sjellë Pranvera Arabe për rajonin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG