Lidhje

Kurt Elling me albumin e ri

  • Doug Levine

Këngëtari i muzikës xhaz Kurt Elling ka risjellë në jetë me interpretime origjinale disa nga kompozimet më të njohura të gjysmës së parë të shekullit të 20. Interpretimet e tij ai i shpalos në albumin e ri “1619 broadway – the Brill Building Project”.

Disa nga pjesët më të njohura të muzikës pop janë kompozuar në ndërtesën Brill, që ndodhet në rrugën Broadway, vetëm pak metra larg Sheshit Times Square në qendër të Manhatanit. Një ndër to është kënga “I’m Satisfied” që gjen një interpretim të freskët në albumin e ri të Kurt Elling me titull “1619 Broadway – The Brill Building Project”.

Elling është tërhequr gjithmonë nga krijimet më të mira muzikore. Ai është nderuar me çmimin Grammy për interpretimin e tij të kompozimeve nga artistët Coltrane dhe Hartman. Një tjetër Grammy vlerëson albumin e tij “The Gate” me interpretime origjinale të kompozimeve nga Miles Davis, Stevie Wonder dhe John Lennon e Paul McCartney, i cili u mirëprit si nga dashamirësit e muzikës xhaz ashtu edhe pop.

Tani ai i ka kthyer sytë nga periudha e fillimit të shekullit XX duke nderuar kompozitorë si Harry Warren dhe Al Dubin.

Kurt Elling ofron në shekullin XXI një interpretim të ri për këngën “I only have eyes for you,” e cila u prezantua për herë të parë para publikut në filmin “Dames” në vitin 1934 dhe më pas në interpretimin e grupit The Flamingos 25 vjet më pas.
Megjithëse koleksioni nderon krijime të dala nga një ndërtesë e famshme e Nju Jorkut siç është The Brill Building, ai thotë se është përpjekur që të mos përfshijë në albumin e ri këngë nga kompozitorë tradicionalë njujorkezë, siç i quan ai, ndër të cilët Gershwin, Rodgers apo Cole Porter.
Një ndër këngët e mirënjohura të albumit është “You Send Me” që i siguroi sukses jo vetëm autorit të saj Sam Cooke, por edhe një liste të gjatë interpretuesish që e përfshinë këtë titull në repertorin e tyre gjatë viteve.
XS
SM
MD
LG