Lidhje

Tiranë: Si do të ristruktohet kompania Kurum?


Kompania KURUM ALBANIA ka kërkuar këto ditë në gjykatat shqiptare një ristruktutim përmes falimentit, në përpjekje për të rindërtuar marrëdhëniet e saj mes tregut bankar dhe aksionerëve.

Kurumi dhe procedurat e ristrukturimit me falimentim
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:11 0:00

Lajmi tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, sepse kompania e metaleve është e njohur në vend për metalurgjitë, hidrocentralet dhe sektorët portualë që zotëron.

“Rasti në fjalë është një rast simbol sepse nuk është i vetmi. Ndër arsyet, në radhë është kriza globale, që është ndjerë fuqishëm edhe në ekonominë shqiptare. Po ashtu është edhe rënia e disa tregjeve bazike si ndërtimi, sepse ka rënë kërkesa për produktet metalore të kompanisë Kurum” - thotë Gjergj Buxhuku, i organizatës Alb-Konfindustria.

Studiuesit e ekonomisë besojnë se ristrukturimi që kërkon kompania ka ardhur nga kriza ekonomike europiane dhe nga kreditimi pa cilësi që japin bankat brenda vendit.

“Shqetësim mbeten kreditë e këqija, kredi me cilësi të dobët të dhëna për bizneset deri në 25 për qind të portofilit të kredive gjithsej, ose 1.5 miliardë dollarë, një shifër e konsiderueshme për ekonominë shqiptare” - thotë zoti Buxhuku.

Në pritje të hapave që do të ndërmarrë gjykata për këtë ristrukturim me faliment, studiuesit po vëzhgojnë se çfarë ndikimi mund të ketë kjo në ekonominë e vendit dhe në sistemin bankar, sepse firma ka hasur papritur në vështirësi likujditeti, ndaj duhet të rindërtojë marrëdhëniet me bankat.

“Ndoshta fakti që mund të jenë disa banka vendase dhe të huaja, që e kanë kredituar, ka krijuara këtë situatë që vetëm me një status të veçantë nëpërmjet ligjit të falimentit të krijohet një bazë më e mirë ligjore për të negociuar me bankat. Në thelbin e tyre këto negociata do të jenë një riskedulim i detyrimeve, duke zgjatur afatet” - thotë profesori i ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Arben Malaj.

Sipas zotit Malaj, kompania e kërkoi vetë ristrukturimin për t'ju përshtatur vështirësive dhe ndryshimeve të mëdha të tregjeve të brendshme dhe të jashtme.

Këtë ristrukturim nuk e kërkuan kreditorët apo furnitorët e saj, por vetë kompania dëshiron të ndërtojë një bazë të re bashkëpunimi me financuesit e saj si IFC, BERZH dhe bankat shqiptare.

“Pavarësisht nga shuma e kredisë që një kompani e tillë u detyrohet bankave, kjo nuk do të shkaktojë ndonjë tronditje në sistemin bankar, por jep një mesazh mbi përgjegjësinë e kredidhënies në sistemin bankar. Së dyti, ajo nuk krijon tronditje në pjesën e depozitave, të cilat kanë një tjetër skemë mbulimi, ndërsa kreditë e këqija ose kreditë joperformuese, që nuk kthehen në kohë, që krijojnë vonesa, janë tashmë nën një kuadër rregullator të Bankës Qendrore, që është më strikt dhe kjo i ka nxjerrë më në pah problemet që mund të kenë kompani të tilla” - thotë zoti Malaj.

Studiuesit po ndjekin me kërshëri këtë proces nga gjykata e Tiranës edhe për faktin se kjo është ndër procedurat e para me ligjin e ri të falimentit.

Ata theksojnë se është me rëndësi fakti që kompania nuk po likujdohet, por po kërkon ristrukturim për të ecur përpara.

“Ka shumë kapitale të investuara në ekonominë shqiptare, që nuk janë eficente, as rentabël, që bëjnë pjesë në atë grupin e madh të kredive të këqija, që bllokojnë segmente të ndryshme të ekoonmisë shqiptare. Mendoj që falimentimi në vetvete është një proces normal në një ekonomi normale tregu, ku një kapital i përdorur pa eficencë del nga tregu për t'u rifutur në një formë të ristrukturuar, të moderuar e të ndryshuar për të qenë eficent”, thotë Adrian Civici, drejtuesi i Universitetit Europian të Tiranës.

Sipas zotit Civici, ristrukturimi i kompanisë mund të sjellë pasoja në ekonominë e Elbasanit, ku janë vendosur industritë e saj, por përveç kësaj nuk priten pasoja të ndjeshme mbi sistemin bankar, i cili është likuid dhe i mirëkapitalizuar.

“Nuk mendoj se ka rreziqe, as për ekonominë shqiptare as për sistemin bankar. Rreziqet për ekonominë shqiptare do t'i shikoja nga pikëpamja sociale, sepse këto periudhë falimenti, ristrukturimi kërkojnë një kohë ë gjatë dhe zakonisht shoqërohen edhe me humbjen masive të vendeve të punës. Por nga pikëpamja e ekonomisë shqiptare në tërësi unë do ta shihja si një element pozitiv, sepse ekonomia shqiptare ka shumë nevojë të marrë stimulimin e nevojshëm nëpërmjet falimentimeve” - thotë zoti Civici.

Studiuesit pohojnë se në kërkesën e kompanisë për t'u ristrukturuar përmes falimentit nuk bëhet fjalë që shteti të rimarrë në dorë bizneset duke blerë borxhet, siç janë rastet klasike në SHBA dhe në Europë.

Por shtetit i kërkohet të garantojë kushtet dhe rregullat e rsistrukturimit por jo të ndërhyjë për të marrë përsipër çdo përgjegjësi, sepse shteti shqiptar, në gjendjen ekzistuese, nuk mund të marrë përsipër problem të kompanive të situata të vështira.

XS
SM
MD
LG