Lidhje

Kush do ta zëvendësojë Stros Kanin në postin e drejtorit të FMN-së?

  • Mil Arsega

Kush do ta zëvendësojë Stros Kanin në postin e drejtorit të FMN-së?

Kush do ta zëvendësojë Stros Kanin në postin e drejtorit të FMN-së?

Ish shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, francezi Dominique Strauss-Kahn, është liruar me kusht nga një burg i Nju Jorkut, pas ndalimit të tij nën akuzën për tentim dhunimi. Tashmë, ka filluar debati se kush duhet ta zëvendësojë atë.

Pavarësisht pohimit të pafajësisë, imazhet në pranga të Dominique Strauss-Kahn ishin të papërshtatshme për udhëheqësin e FMN-së. I pafajshëm apo jo, shumë njerëz përshi këtu edhe Sekretarin amerikan të Thesarit, thonë se dëmi është bërë.

“Patjetër, nuk mund të komentoj për çështjen, por duket qartë se ai nuk është në pozita për të drejtuar FMN-në”.

Gara për të gjetur pasuesin po vazhdon. Por analisti politik Daniel Gros thotë se gjetja e një udhëheqësi që do u pëlqej të 185 shteteve anëtare nuk është e lehtë.

“Të gjithë do të konkurojnë tani, por duhet ta kuptojmë se vendet në zhvillim po ashtu kanë interesa të gjerësisht të ndryshme. Krahaso Kinën me Indinë dhe Brazilin. Do të jetë e vështirë të gjendet dikush që i shërben interesit politik të çdo grupi”.

Që nga themelimi, FMN-ja është drejtuar kryesisht nga një evropian. Por ka kundërshtime në rritje për të këtë marrëveshje. Pekini këmbëngul se udhëheqësi i ardhëshëm i FMN-së duhet të reflektojë rritjen e fuqisë së vendeve në zhvillim.

Lista e kandidatëve të mundëshëm është e gjatë. Aty përfshihen Zhu Min, zëvendës guvernator i bankës së Kinës; Agustin Carstens, guvernator i bankës qendrore të Meksikës dhe ish shefi i financës së Afrikës së Jugut, Trevor Manuel. Por Owen Barder me Qendrën për Zhvillime Globale e shikon çështjen të vështirë për kandidatë jo-evropianë.

“Do të jetë më e lehtë për Evropën të dalin me një kandidat të vetëm se sa do të ishte për vendet në zhvillim që të arrijnë një marrëveshje. Ata nuk i kanë mekanizmat e duhura dhe përvojën në emërimin e një kandidati të vetëm. Kështu që Evropianët mund të gjejnë shumë shpejt kandidatin, sepse kanë përvojë në këtë dhe do të përpiqen të realizojnë synimin e tyre”.

Mes kandidatëve më të preferuar evropianë janë Axel Weber, ish president i bankës gjermane Bundesbank dhe Ministrja franceze e Financave Christine Lagarde. Ekonomisti Jacob Kirkegaard thotë se tani kryeson francezja Lagarde.

“Ajo është e aftë në hartimin e politikave. Ajo ka shumë eksperiencë, si në Evropë ashtu edhe në nivelin e G20. Ajo ka avantazhin dhe do të sjellë një drejtim të ri në FMN dhe organizatat ndërkombëtare sepse ajo do të jetë gruaja e parë që drejton një organizatë të tillë”.

Të gjitha palët janë dakord se zgjedhja duhet të bëhet sipas meritave.

“Mund të jetë një evropian, mund të jetë dikush nga vendet në zhvillim apo madje amerikan, synimi është që duhet të jetë dikush me kredibilitet, i respektuar dhe i zoti në hartimin e politikave”.

Sëbashku, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane kanë më shumë se 50 përqind të fuqisë votuese në FMN. Amerika ende nuk ka mbajtur qendrim se kush duhet të plotësojë vendin e mbetur bosh nga largimi i Strauss-Kahn.

XS
SM
MD
LG