Lidhje

Tim Kaine, kandidati demokrat për nënpresident

  • Arash Arabasadi

Ai flet spanjisht, ka qënë misionar katolik dhe është diplomuar për jurispuridencë nga Universiteti i Harvardit. Tim Kaine i shton tani CV-së së tij edhe kandidaturën për nënpresident nga kampi demokrat.

Kaine është një politikan që nuk bie në sy. Madje e quan veten të mërzitshëm.

Por përkrah Hillary Clintonit ai ka energji të re. Përzgjedhja e tij prej saj shihet si diçka e natyrshme.

Tim Kaine ka 22 vite që merret me politikë; ka qenë kryetar bashkie, guvernator dhe senator i shtetit Virxhinia.

Zoti Kaine ka mbaruar Universitetin e Mizurit dhe më pas Harvardin.

Ai mori një vit pushim nga shkolla për të punuar si misionar katolik në Honduras, ku edhe mësoi spanjishten.

Ai thotë se varfëria që pa në Amerikën Qëndrore e frymëzoi për t’i shërbyer publikut. Atje u njoh edhe me Anën, që u bë bashkëshortja e tij.

“Janë kohë të vështira për shumë njerëz në vendin tonë, por ne jemi të paepur dhe këtë e kam mësuar nga familja ime. Kohët e vështira nuk zgjasin, por njerëzit e paepur dalin fitimtarë”, thotë kandidati demokrat për nënpresident.

Ai thotë se një rast i vështirë ka qënë kur ishte guvernator dhe ndodhi vrasja masive në Universitetin Teknologjik të Virxhinias në 2007, e kryer nga një student me probleme mendore. Pas tragjedisë, Kaine u bë nxitës i reformave për shëndetin mendor.

Në vitin 2008, kur ishte kryetar i Partisë Demokrate, ish senatori i atëhershëm Barack Obama e studioi kandidaturën e tij si kandidat i mundshëm për nënpresident.

Tani i zgjedhur si kandidat për nënpresident nga zonja Clinton, Kane sjell reagime pozitive por edhe dyshime.

“Më pëlqen qëndrimi i tij politik dhe është zgjedhje e mirë”, thotë Lafayette Barnes, banor i Uashingtonit.

“E balancon kandidaturën demokrate për Shtëpinë e Bardhë”, thotë Michelle nga Virxhinia.

“Nuk kam besim tek Hillary, ndaj nuk u vë veshin gjërave që vinë nga ajo parti”, thotë Tom nga Çikago.

Senatori që luan fizarmonikën shpreson se mund të ndryshojë mendjet dhe fitojë zemrat e të pavendosurve ndërsa bën fushatë për të ndihmuar zonjën Clinton të fitojë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e nëntorit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG