Lidhje

Kush ishte Osama Bin Ladeni?

  • Zëri Amerikës

Kush ishte Osama Bin Ladeni?

Kush ishte Osama Bin Ladeni?

Terroristi më i kërkuar i botës, Osama bin Laden, ishte 54 vjeç. I fajësuar për aktet më të rënda terroriste në të paktën 3 kontinente, Osama bin Laden ishte objektiv i ndoshta operacionit më të madh amerikan në histori. Pas sulmeve katastrofike në Nju Jork dhe Uashington më 11 shtator 2001, Presidenti Bush u zotua publikisht të gjente personin që mendohej të ishte organizatori i sulmeve, Osama bin Ladenin.

"Në të kaluarën, në perëndimin e vjetër amerikan ngrihej një pankartë në të cilën shkruhej, 'I kërkuar gjallë a vdekur'. Unë dhe Amerika nuk duam gjë tjetër veçse nxjerrjen e tij para drejtësisë".

Megjithatë imazhi i bin Ladenit si terrositi më i kërkuar i botës bie në kontrast të thellë me rritjen e tij të rehatshme dhe në paqe. Lindur më 10 mars të vitit 1957, ai ishte mes më shumë se 50 fëmijëve të një manjati saudit ndërtimesh, i cili ndiq kur Osama bin Laden ishte adoleshent.

I rritur në mes të pasurisë së klasës së lartë të Arabisë Saudite e bashkë me pjesëtarë të familjes mbretërore në fuqi, bin Laden përfundoi studimet në inxhinjeri dhe dukej se do të punonte në biznesin e familjes. Por jeta e tij ndryshoi përgjithmonë kur në vitin 1979, ish Bashkimi Sovjetik pushtoi Afganistanin.

Bin Laden, si shumë myslimanë, mori pjesë në luftën kundër sovjetikëve, megjithëse fillimisht ai u angazhua në mbështetjen logjistike për rekrutët e rinj mes forcave muxhahedine afgane, të njëjtat forca që u mështetën nga Shtetet e Bashkuara. Por nga mesi i viteve 80-të, bin Laden vendosi të përdorë një pjesë të pasurisë së familjes për të krijuar milicinë e tij, e cila më vonë u bë e njohur si "al-Kaida" që do të thotë Baza.

Pas tërheqjes së sovjetikëve nga Afganistani, bin Ladeni u kthye në atdhe, por mbajti lidhje me veterenët e luftës afgane dhe ishte i interesuar në kauza të tjera afgane.

Një moment i rëndësishëm në jetën e tij ishte viti 1990, kur Iraku pushtoi Kuvajtin, pushtim që nxiti Arabinë Saudite të ftonte trupat amerikane të dislokoheshin në territorin saudit. Bin Ladeni e konsideroi mbërritjen e jo-myslimanëve në atë që ai e shikonte si tokë të shenjtë, si një konfrontim ndaj islamizmit. Ai protestoi ashpër ndaj këtij vendimi, gjë që rezultoi në dëbimin e tij nga Arabia Saudite në vitin 1991.

Bin Laden gjeti strehë në Sudan, ku thuhet se organizoi sulmet kundër ushtrisë amerikane në Somali dhe Arabinë saudite. Nën presionin e Shteteve të Bashkuara, autoritetet sudaneze e dëbuan atë më 1996 dhe ai u kthye përsëri në Afganistan.

Ndërsa u angazhua përsëri në politikat afgane, bin Ladeni vazhdoi betejën globale kundër Shteteve të Bashkuara. Thuhet se ai kishte rol qendror në bombardimet më 1998 në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani.

Ndalimi i Osama bin Ladenit u bë përparësia kryesore e Shteteve të Bashkuara pas sulmeve të vitit 2001, nga të cilat u vranë më shumë se 3 mijë njerëz. Kur talebanët refuzuan t’ua dorëzonin udhëheqësin e al-Kaidës autoriteteve amerikane, Shtetet e Bashkuara ndërhynë ushtarakisht në Afganistan, duke dëbuar talebanët nga ai vend në dhjetor të vitit 2001 dhe duke e detyruar Osama bin Ladenin që të fshihej.

Që prej atëhere, bin Ladeni bëri publike disa videokaseta, në të cilat dënonte Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar edhe shumë pakënaqësi e iritim për Uashingtonin, irritim që tani ka marrë fund.

XS
SM
MD
LG