Lidhje

Jared Kushner viziton Irakun


Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se Jared Kushner, bashkëshorti i vajzës së presidentit dhe këshilltar i tij, ndodhet në Irak.

Sipas burimeve zyrtare zoti Kushner u ftua nga gjenerali Joseph Dunford, shef i shtatmadhorisë amerikane.

Rreth vizitës së zotit Kushner nuk janë dhënë shumë hollësi, megjithatë pritet që pjesë e axhendës së tij të jetë lufta e Irakut kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik.

Një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ka kryer sulme ajrore kundër militantëve të IS-isit për të ndihmuar trupat irakiane në terren.

36 vjeçari Kushner, ashtu sikurse vjehrri i tij, nuk ka përvojë pune në qeveri apo në diplomaci, por është bërë shumë shpejt një nga njerëzit më të fuqishëm në Uashington. Ai është i martuar me vajzën e presidentit, Ivanka Trump.

Zotit Kushner, i cili përpara se të hynte në Shtëpinë e Bardhë ishte investitor në fushën e pasurive të patundshme dhe pronar i një gazete, i është besuar një portofol ambicioz që përfshin përgjegjësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ai shërben si diplomat de facto i rangut të lartë, që këshillon vjehrrin e tij për marrëdhëniet me Kanadanë, Meksikën dhe Lindjen e Mesme. Pjesë e punës së tij është edhe marrëveshja e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve.

Thuhet gjithashtu se ai ka një rol kyç në vendimet e personelit të Shtëpisë së Bardhë si dhe në debatet lidhur me politikat e brendshme. Kohët e fundit ai krijoi një grup pune që synon të riorganizojë qeverinë federale bazuar në parimet e sektorit privat.

Vizita e zotit Kushner në Irak vjen në një kohë kur zoti Trump po kërkon të përshpejtojë përpjekjet kundër Shtetit Islamik, që kontrollon pjesë të Irakut dhe Sirisë. Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump premtoi “shkatërrimin e plotë" të grupit islamik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG