Lidhje

Kushtetuta e re e Turqisë dhe pushteti i Presidentit


Anëtarët e Paralemntit turk filluan hartimin e një kushtetute të re këtë javë, një veprim që shihet tepër i rëndësishëm për t’i dhënë fund lidhjeve të Turqisë me të kaluarën ushtarake. Por megjithëse ka një konsensus lidhur me nevojën e një kushtetute të re, ndarjet politike vazhdojnë ta kërcënojnë këtë proces. Korrespondenti ynë Dorian Jones njofton nga Stambolli:

Parlamenti turk ka filluar procesin e ndryshimit të kushtetutës 30-vjeçare për të zëvendësuar një tekst të miratuar 2 vjet pas grushtit ushtarak të vitit 1980, duke pasqyruar kështu ndryshimet e mëdha në një vend që tani drejtohet nga një qeveri e moderuar. Studjuesi i shkencave politike Cengiz Aktar i Universitetit Bahcesehir, thotë se një kushtetutë e re është thelbësore për të ardhmen e vendit.

“Ky është një moment tepër i rëndësishëm në historinë e Republikës Turke. Vendi ka nevojë për një dokument të ri social, i cili do të përcaktojë mënyrat përmes të cilave ai synon të shkojë përpara dhe për t’u siguruar se të gjitha shtresat e popullsisë do të bashkëekzistojnë dhe do të bashkëpunojnë, pa ndjerë se ato janë përjashtuar, gjë që ka ndodhur deri tani.”

Kushtetuta ushtarake e tanishme fajësohet gjerësisht për kufizimin e lirive, në vend që t’i mbrojë ato. Kryeministri Rexhep Taip Erdogan thotë se dokumenti, i cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit, do të ketë në qendër qytetarët dhe jo shtetin.

Grupeve të të drejtave civile, organizatave fetare dhe qytetarëve, u është kërkuar të kontribuojnë në procesin e hartimit të një kushtetute më liberale. Partia kryesore kurde e vendit, BDP, po ashtu po merr pjesë në këtë proces. Ertugral Kurkcu, deputet i kësaj partie, shprehet me optimizëm të rezervuar, por vazhdon të ketë disa shqetësime.

“Sikur të gjitha palët të përpiqeshin për një kushtetutë më të mirë se kjo ekzistuesja, do të kemi një kushtetutë të re shumë të mirë. Por vështirësia kryesore do të lindë nga aspiratat e Taip Erdoganit dhe ambiciet e tij për vendosjen e një regjimi presidencial në Turqi. Në se gjendja shkallëzohet pas kësaj, kjo do të lidhte drejtpërdrejt me ambiciet e kryeministrit.”

Disa analistë thonë se është ndoshta “sekreti” politik i Turqisë më i njohur, fakti që kryeministri Erdogan do të krijojë një presidencë shumë më të fuqishme, sipas modelit të Francës, apo SHBA-së.

Zoti Erdogan ka thenë se ai nuk do të qëndrojë në postin e kryeministrit pasi të përfundojë mandatin e tretë në vitin 2015. Ai tha këtë javë se sistemi presidencial do të diskutohet. Por të gjitha partitë e opozitës e kundërshtuan me shpejtësi çdo ndryshim nga sistemi aktual i fuqishëm parlamentar. Studjuesi i shkencave politike Aktar druhet se kjo polemikë jo vetëm që mund ta rrezikojë konsensusin e tanishëm për një kushtetutë të re, por mund të minojë demokracinë në Turqi.

“Sistemi që mbështesin teoricionët e partisë të afërt me kryeministrin është më tepër si sistemi i Rusisë, se sa si ai i Shteteve të Bashkuara, një sistem ku presidenti të ketë më tepër pushtet.”

Fati përfundimtar i Kushtetutës së re dhe ndoshta një ndryshim i mundshëm i sistemit presidencial, do të varet nga Parlamenti dhe në fund të fundit, nga populli turk. Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit e zotit Erdogan, ka një shumicë të mjaftueshme për miratimin e kushtetuës së re, e cila do të ratifikohet me referendum. Por analistët druhen se një kushtetutë e re e miratuar në këtë mënyrë, në vend që ta bashkojë, do ta polarizojë vendin.

XS
SM
MD
LG