Lidhje

Një udhëzues për hartimin e kushtetutës


Një organizatë ndërkombëtare për forcimin e paqes po ndihmon qeveritë dhe organizatat të gjejnë mënyrat më të mira për të hartuar kushtetutat. Organizata Interpeace ka botuar një broshurë që ofron një pasqyrë të përgjithshme për këtë proces. Broshura shpjegon disa nga sfidat dhe zgjidhjet e mundshme për hartimin e një kushtetute funksionale, bazuar në disa nga praktikat më të mira. Libri titullohet ‘Hartimi i Kushtetutës dhe Reformat: Alternativat për këtë Proces’.

Autorët e tij thonë se procesi për hartimin dhe zbatimin e kushtetutës është i rëndësishëm, pasi është jetik për ndërtimin dhe forcimin e shteteve dhe sistemeve politike si dhe vendosjen e një paqeje të qëndrueshme.

Për këtë arsye, thonë ata, udhëzuesi u kushton vëmendje të veçantë nevojave që shfaqen gjatë hartimit të kushtetutës në shoqëri të përçara. Po ashtu broshura përqendrohet edhe tek nevoja për një proces gjithë-përfshirës dhe transparent dhe të zhvilluar dhe udhëhequr nga forcat brenda vendit përkatës. Procesi bazohet në përvojën e grumbulluar gjatë dekadave nga vetë autorët si dhe nga bisedat me dhjetëra ekspertë që e njohin procesin.

Scott Weber është drejtor i përgjithshëm i organizatës Interpeace me seli në Gjenevë që ndihmon shoqëritë e prekura nga lufta të vendosin një paqe të qëndrueshme. Ai thotë se udhëzuesi nuk ka për synim të ofrojë një recetë standarde për çdo vend. Hartuesve të kushtetutave u sugjerohet të përdorin ato pjesë të udhëzuesit që u përshtaten më së miri, bazuar në rrethanat historike, kulturore dhe politike të vendit të caktuar.

“Për këtë arsye ky udhëzues është shumë i rëndësishëm. Nuk është si një libër gatimi me receta të gatshme që të tregon ku të fillosh e ku të mbarosh. Ky është një udhërrëfyes që ndihmon zyrtarët në shoqëri të ndryshme të zgjedhin nga alternativat që u ofrohen, pasi shqyrtojnë elementët pozitivë dhe negativeë të çdo alternative”.

Udhëzuesi që ofrohet edhe në formë dixhitale në faqen elektronike të organizatës Interpeace, ndahet në katër pjesë, përfshirë një vështrim të përgjithshëm të roleve që luajnë kushtetutat dhe sfidat që shfaqen kur hartohen kushtetutat në vende me konflikt.

Kapitujt e parë ndalen tek disa nga detyrat në procesin e hartimit të kushtetutës dhe tek institucionet dhe procedurat që nevojiten për ta realizuar këtë detyrë.

Pjesët e tjera të udhëzuesit ndalen tek institucionet e ndryshme që mund të luajnë rol në përcaktimin e rregullave, temat që duhen shqyrtuar dhe puna për hartimin e kushtetutës.

Në kapitujt e fundit ofrohen udhëzime për shoqërinë civile, median dhe aktorë të tjerë të shoqërisë që përfshihen në këtë proces. Zoti Weber thotë se udhëzuesi përfshin një numër mësimesh nga një përvojë e grumbulluar gjatë dekadave.

Një prej tyre përfshin marrjen mbi vete të përgjegjësisë për procesin e hartimit të kushtetutës. Ai thotë se përparësitë duhet të përcaktohen në vendet specifike dhe përmes një dialogu që do të krijojë një dokument të hartuar përmes konsensusit.

“Këto procese nuk duhet të realizohen jashtë vendit. Për një shoqëri nuk ka një akt tjetër më sovran se sa hartimi i kushtetutës së saj. Prandaj kur ka një prani tepër të madhe ndërkombëtare në një shoqëri, shfaqet një ndikim i madh nga kjo prani në procesin e hartimit të kushtetutës”.

Scott Weber thotë se një tjetër mësim që nxirret nga përvoja e specialistëve që kanë punuar për hartimin e kushtetutave është rëndësia e përfshirjes së një segmenti sa më të gjerë të shoqërisë në këtë proces.

Zoti Weber thotë se organizata Interpeace sugjeron përfshirjen në organet legjislative ose në organe të tjera negociuese të sa më shumë përfaqësuesve nga grupe të ndryshme të shoqërisë. Nganjëherë kjo nënkupton përfshirjen e krerëve të grupeve paraushtarake, ose politikanëve që kanë lidhje me regjimin e vjetër:

“Procesi përfaqëson një strukturët pushteti, një formë pasqyrimi të grupeve të ndryshme të interesit. Këto grupe, nëse nuk përfshihen në proces mund ta minojnë këtë përpjekje, nëse iu duket se nuk kanë asnjë kontroll mbi të. Kjo është mënyra se si organizata jonë Interpeace reagon ndaj këtyre grupeve të interesave specifike në procesin e hartimit të kushtetutës dhe të vendosjes së paqes – të gjithë duhet të përfshihen në proces”.

Përmes përfshirjes së tyre në proces, thotë zoti Weber, neutralizohet ndikimi i tyre negativ. Së pari ata nuk mund të thonë se janë mënjanuar nga procesi. Gjithashtu, përfshirja e tyre mund të rezultojë në gjenerimin e ideve të vlefshme, pasi shpesh klika e vjetër ka experiencë teknokrate. Procesi i hartimit të kushtetutës duhet të realizohet me përfshirjen e sa më shumë përfaqësuesve të grupeve të ndryshme të shoqërisë.

Shumë vende ofrojnë një mundësi të drejtpërdrejtë që publiku të tregojë nëse e mbështet apo e kundërshton procesin që po ndiqet për hartimin e kushtetutës.

Udhëzuesi vë në dukje se ka alternative të tjera përveç miratimit të një varianti përfundimtar të kushtetutës. Palët mund të zgjedhin të miratojnë një variant të përkohëshëm.

Udhëzuesi shpjegon se nganjëherë mund të jetë e nevojshme të vonohet procesi i hartimit të kushtetutës, deri në krijimin e një atmosfere besimi mes palëve në shoqërinë në fjalë. Varianti përfundimtar i kushtetutës mund të negociohet në një periudhë më të vonë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG