Lidhje

Kuvendi i republikanëve, sonte flasin Kruz dhe Pence


Në Kuvendin e Partisë Republikane në Klivlend, delegatët përgatiten të dëgjojnë të mërkurën mbrëma fjalime nga politikanë të rëndësishëm, siç është senatori konservator Ted Cruz, i cili humbi një betejë të hidhur në zgjedhjet paraprake ndaj kandidatit Donald Trump, Guvernatori i shtetit Wisconsin, Scott Walker, që sfidoi zotin Trump, e të tjerë.

Një tjetër folës do të jetë kandidati për zëvendëspresident Mike Pence, guvernator i shtetit Indiana.

Zoti Pence ka shërbyer për gjashtë mandate në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai vazhdimisht është shprehur për një qeveri të vogël, temë së cilës i bëri jehonë të shtunën, kur pranoi ftesën e zotit Trump për të qenë nënpresident.'

Analistët thonë se zgjedhja e zotit Pence është projektuar për të kënaqur republikanët e bazës që mund të jenë të shqetësuar nga pikëpamjet e pazakonta të kandidatit Trump, shumë prej të cilave bien ndesh me linjën tradicionale të Partisë Republikane.

PROTESTA NË KLIVLEND

Disa qindra protestues u mblodhën jashtë Kuvendit Republikan të mërkurën, për të dënuar politikat e kandidatit republikan Donald Trump, duke thënë se ai po e përçan vendin me kritikat e tij kundër emigrantëve dhe myslimanëve.

Demonstruesit u mblodhën në një nga pikat kryesore të hyrjes së ndërtesës Quickens Loans Arena, duke hedhur parrulla, ndërkohë që policia hapte një korridor për delegatët që përpiqeshin të hynin në Kuvend. Protestat vazhduan të qeta edhe megjithë debatet e nxehta mes kritikëve dhe disa nga mbështetësve të zotit Trump.

Zoti Trump ka thënë se do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit prej 3200 kilometrash me Meksikën, një propozim që disa në protestë e quajtën “si ndërtimin e një gardhi rreth oborrit tuaj."

Propozimi për murin ka ngjallur kritika dhe sarkazma nga ana e demokratëve dhe e grupeve për të drejtat e imigrantëve për simbolikën e tij, sfidën e madhe logjistike dhe pretendimin e zotit Trump se do të detyrojë Meksikën të paguajë për ndërtimin e tij.

TRUMP, ZYRTARISHT KANDIDAT PRESIDENCIAL I REPUBLIKANËVE

Partia republikane zgjodhi zyrtarisht manjatin e pasurive të patundshme Donald Trump si kandidatin e saj presidencial. Ish rivalë të zotit Trump dhe udhëheqës republikanë i dhanë mbështetjen e tyre kandidatit ndërsa partia kërkon të bashkohet në garën kundër kandidates demokrate Hillary Clinton.

Kuvendi i Partisë Republikane
please wait

No media source currently available

0:00 0:10:02 0:00

Të martën, ditën e dytë të kuvendit kombëtar të partisë në Klivland të Ohajos, delegatët zhvilluan votimin e secilit shtet duke i dhënë zotit Donald Trump 1,237 votat e nevojshme për të siguruar emërimin.

"Kandidatët e mëposhtëm kanë marrë këto vota: Trump 1725, Cruz 475 Kasich 120, Rubio 114, Carson 7, Bush 3, Paul 2. Donald J. Trump ka marr shumicën e këtyre votave dhe zgjidhet kandidati i partisë republikane për president të Shteteve të Bashkuara."

Pak pas zyrtarizimit të kandidaturës, Donald Trump Jr. mbajti një fjalim të fuqishëm në mbështetje të të atit, duke theksuar sesi qasja e tij në botën e biznesit do të përkthehej në Shtëpinë e Bardhë.

"Një president që thotë atë që mendon dhe jo vetëm kur i intereson. Që nuk i duhet të ketë një grup fokusi apo të përdor të dhëna analitike për të qënë në gjendje të formoj thjesht një opinion. Që thotë atë që duhet të thotë dhe jo atë që do të dëgjosh. Një president që do të sjell madhështinë e këtij kombi tek të gjithë ne. Që do t’u jap burrave dhe grave punëtore të këtij vendi të madh përsëri zërin e tyre"

Delegatët dëgjuan gjithashtu një seri fjalimesh ku sulmohej kandidatja e pritshme demokrate, ish sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.

Guvernatori i Nju Xhersit Chris Christie e përdori fjalimin e tij për t’i dhënë një lloj gjykimi publik zonjës Clinton, duke tërhequr thirrje “fajtore” nga audienca.

"Tani kohë pas kohe, bazuar në fakte dhe vetëm fakte, të çojnë në të njëjtin vendim. Përreth botës dhe këtu në vend. Në Libi, Nigeri, fajtore. Në Kinë dhe Siri fajtore, në Iran, Rusi dhe Kubë fajtore, dhe këtu në vend kur rrezikoi sekretet e Amerikës për të mbrojtur të sajat dhe gënjeu për t’i mbuluar – Fajtore”.

FJALIMI I MELANIAS, SI U KOPJUAN FRAZAT

Një ndihmëse e kandidatit republikan për president, Donald Trump tha se veproi gabim kur përfshiu në fjalimin e zonjës Melania Trump fraza identike nga një fjalim i zonjës Michelle Obama në vitin 2008.

Prej dy ditësh, fushata e zotit Trump nuk u kushtoi rëndësi komenteve se Melania Trump kishte kopjuar pjesë të fjalimit të Michelle Obamas.

Por të mërkurën, ndihmësja e zotit Trump, Meredith McIver, ish-balerinë, e cila e ka ndihmuar kandidatin presidencial të shkruante disa nga librat e tij, tha se kishte ofruar dorëheqjen për polemikat që ngjalli incidenti. Ajo tha se zoti Trump e refuzoi dorëheqjen.

McIver tha se kur kishte nisur të shkruante fjalimin, zonja Trump i kishte lexuar në telefon disa pasazhe nga fjalimi i zonjës Obama. McIver tha se kishte mbajtur shënime dhe i kishte përfshirë një pjesë të tyre në draftin përfundimtar.

McIver tha se nuk e kishte kontrolluar fjalimin e Michelle Obamës.

XS
SM
MD
LG