Lidhje

Kuvendi Kombëtar i Partisë Republikane në Florida

  • Suzzane Presto

Gati 25 për qind e banorëve të Floridas janë me origjinë hispanike dhe republikanët kanë nevojë për votat e tyre

Florida është e prirur të përfshihet nga stuhi të fuqishme në këtë periudhë të vitit, por Partia Republikane zgjodhi ta mbajë kuvendin në këtë shtet për të cilin, shumica e analistëve thonë se duhet të fitohet nga Mitt Romney në mënyrë që ai të fitojë përkundrejt Presidentit Barack Obama në zgjedhjet e 6 nëntorit.

Barbara Denti Pool po zbukuron Klubin Italian historik të Tampas me elefantë të kuq, ngjyra dhe simboli i Partisë Republikane.

“Ne jemi shumë entuziastë dhe të kënaqur për këta njerëz që kanë ardhur këtu”.

Zonja Denti Pool thotë se kandidati republikan, Mitt Romney është zgjedhja më e mirë për rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Ne duam një jetë të mirë e të ndershme. Ne duam të jemi të sukseshëm siç shikuam prindërit dhe gjyshërit tanë emigrantë. Ata e ndërtuan këtë qytet”.

Tampa e Floridas është e njohur për pamjet bregdetare, klimën e nxehtë dhe gjatë javëve të fundit elefantët e shumtë.

“Për dikë që është me të vërtetë i dhënë pas politikës, ne ofrojmë elefantin”.

Jon Brovold shet suvenirë republikanë afër vendit ku do të mbahet kuvendi.

“Ne shesim manikina të Mitt Romney-it, e cila ka qënë shujmë popullore”.

Por ish guvernatori i shtetit Masaçusets Romney nuk është popullor me të gjithë. Kundër kandidatit republikan janë organizuar manifestime.

Florida është një shtet i pavendosur, sepse asnjëra parti politike nuk e ka të sigurtë fitoren. Në vitin 2008, votat elektorale të Floridas i fitoi Presidenti demokrat, Barack Obama, kurse në vitin 2004, i fitoi republikani George W. Bush.

Stuhia tropikale Isaac, po i afrohet Floridas, duke detyruar anulimin e fluturimeve ajrore dhe shtyrjen e fillimit të kuvendit kombëtar të Partisë Republikane.

Guvernatori i shtetit, Rick Scott shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të shtunën.

“E mora këtë vendim duke u bazuar në faktin se do të përballemi me një stuhi tropikale të fuqishme e ndoshta me një uragan. Do të tërhiqem nga të gjitha aktivitetet e Kuvendit për ditën e hënë”.

Gati 25 për qind e banorëve të Floridas janë me origjinë hispanike dhe republikanët kanë nevojë për votat e tyre.

Këtë muaj, zoti Romney bëri fushatë në Miami të Floridas me djalin e tij, Craig.

Shumë para se zoti Romney të siguronte votat e nevojshme për emërimin e Partisë Republikane dhe para se të zgjidhje Paul Ryan si kandidat për nënpresident, Partia Republikane zgjodhi Tampan si vendin ku do të zhvillohej kuvendi.

Profesorja Jennifer Lawless jep mësim për shkencat politike në Universitetin Amerikan në Washington.

“Fillimisht mendova se ishte një hap i mënçur sepse Florida është një shtet i pavendosur dhe kjo është një mënyrë për të tërhequr votuesit latinë. Por tani republikanët do të kenë më pak kohë që t’u tregojnë votuesve të Floridas se administrata Romney / Ryan nuk do t’i braktisë të moshuarit dhe pensionistët”.

Kandidati për nënpresident Paul Ryan synon të bëjë ndryshime kontradiktore në planin e kujdesit shëndetsor për të moshuarit, Medicare, e cila me siguri që do të jetë një çështje e rëndësishme në këtë shtet me klimë të ngrohtë, që tërheq shumë pensionistë.
XS
SM
MD
LG