Lidhje

Isaacson: Kyçi për novacionin, kombinimi i imagjinatës me teknologjinë

  • Setareh Derakhshesh
  • Zëri Amerikës

Isaacson: Kyçi për novacionin, kombinimi i imagjinatës me teknologjinë

Isaacson: Kyçi për novacionin, kombinimi i imagjinatës me teknologjinë

Walter Isaacson, autor i një biografie të suksesshme për Steve Jobs-in, thotë se kyçi për novacionin në shekullin e 21 është kombinimi i kreativitetit dhe imagjinatës me teknologjinë e fuqishme. Zoti Isaacson është Kryetar i Bordit të Transmetimeve, ku përfshihet edhe Zëri i Amerikës. Ai ka qenë president i CNN-it dhe drejtor menaxhues i revistës Time. Ai është i njohur edhe si autor i biografive të disa njerëzve të shquar. Libri i tij i fundit, Steve Jobs, është në listën e librave më të shitur në Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Isaacson, çfarë keni mësuar nga Steve Jobs që mendoni se është e rëndësishme dhe që mund të ndikojë mbi të ardhmen e botës?

Walter Isaacson: Mendoj se kyçi për novacionin në shekullin e 21 është ajo që bëri Steve Jobs. Pra, të kombinosh kreativitetin, imagjinatën, artin dhe dizenjon me teknologjinë dhe inxhinjerinë e fuqishme. Ai thoshte se dëshironte të ishte pikërisht në atë kryqëzim, siç thoshte ai, pra në mes të shkencave humanitare dhe atyre ekzakte. Kjo do të ishte një vlerë e shtuar në ditët tona. Tani që ne kemi teknogjinë dixhitale, çështja është se si të jemi krijues, si ta kthejmë atë në art, në diçka të bukur. Kjo mendoj se ishte e reja që solli Steve Jobs.

Zëri i Amerikës: Ju keni shkruar për jetën e njerëzve që kanë patur ndikim në botë, shpikës apo novatorë të mëdhenj. Çfarë mendoni se mund të mësojmë nga arritjet dhe dështimet e këtyre njerëzve, që mund të na shërbejë për të sjellë ndryshime në të ardhmen?

Walter Isaacson: Mund të nxjerrim dy mësime. Njëri është ajo që thoshte Steve Jobs: Të mendojmë ndryshe. Po të marrësh Anjshtajnin, ai nuk ishte fizikani më i madh në vitin 1905. Por ishte në gjendje të mendonte ndryshe. Pra, nëse shpejtësia e dritës është konstante, ndoshta kjo do të thotë se koha është relative dhe varet nga gjendja e lëvizjes. Ishte diçka e komplikuar por kjo erdhi si rrjedhojë e të menduarit ndryshe. Në fakt ka shumë njerëz që mund të thonë: edhe unë jam si Steve Jobs sepse mendoj ndryshe, mendoj jashtë kornizës. Mësimi që duhet nxjerrë këtu është: në fillim duhet të mësosh mirë atë që është brenda kornizës para se të dalësh prej saj.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të këshillonit që njerëzit të kenë kujdes për ta shmangur?

Walter Isaacson: Steve Jobs ishte njeri mjaft i rreptë dhe kërkues si menaxher. Prandaj njerëzit më pyesin shpesh: mendoni se shefat duhet të jenë kështu, kaq të ashpër? Dhe unë u them: Jo. Kjo është biografia e një njeriu të caktuar, nuk është një manual se si duhet vepruar për të ndërtuar një kompani. Prandaj duhet mësuar nga të gjithë tipat e njerëzve. Benjamin Franklin ishte njeri mjaft i dashur. Ai i bashkonte njerëzit. Steve ishte paksa i vrazhdë dhe i paduruar por ai kishte ndjeshmëri artistike. Pra ne marrim anët më të mira të njerëzve.

Zëri i Amerikës: Po sikur t’u jepnit një këshillë njerëzve në vende të ndryshme të botës, a do të ishte e ndryshme këshilla juaj?

Walter Isaacson: Mendoj se do të ishte e njëjta. Kreativiteti vjen kur ke një kombinim ndikimesh të ndryshme. Në këtë epokë globalizimi, kur njerëzit komunikojnë kaq shumë me njëri-tjetrin, njeriu bëhet më krijues. Prandaj, mendoj se pavarësisht se ku jeton, njeriu duhet të mësojë të jetë i hapur ndaj ideve ngado që të vijnë. Pikërisht për këtë arësye, interneti dhe komunikimi dixhital janë kaq të pëlqyer, sepse njerëzit mund të komunikojnë idetë e tyre në të gjithë botën dhe kjo nxit kreativitetin.

Zëri i Amerikës: Një pyetje që na vjen nga shikuesit për ju si autori i biografisë së Steve Jobs-it. Nëse Steve Jobs do të kishte jetuar jashtë Shteteve të Bashkuara ose do të kishte qenë nga një brez i parë imigrantësh, a do të kishte qenë ai kaq i suksesshëm?

Walter Isaacson: Me siguri që po. Kemi shembuj për këtë, si Sergej Brinn, Larry Page dhe shumë njerëz të tjerë që kanë lindur jashtë Amerikës ose që kanë imigruar këtu apo i përkasin brezit të parë të imigrantëve. Statistikat tregojnë se një e treta e kompanive të suksesshme në Shtetet e Bashkuara këto 20 vjetët e fundit, janë themeluar nga njerëz që kanë imigruar këtu ose që kanë qenë nga familje imigrantësh. Në Silicon Valley, të gjitha kompanitë si Yahoo, Google apo e-bay, janë po ashtu të tilla. Madje ne këtu në Shtetet e Bashkuara duhet të tregohemi sa më të hapur për t’i bërë njerëzit nga vende të tjera që ta ndjejnë se ata mund të vijnë këtu, të edukohen këtu. Ndonjëherë ne harrojmë se sa i rëndësishëm është imigracioni, nga ana tjetër edhe jashtë ka njerëz që thonë se Amerika nuk është aq miqësore sa më parë ndaj imigrantëve.

XS
SM
MD
LG