Lidhje

Interesat amerikane, ruse e kineze kërkojnë stabilitet në Kirgistan

  • Zëri Amerikës

Revolta e fundit në Kirgistan kundër regjimit të Presidentit Kurmanbek Bakiyev ka vënë në qendër të vëmendjes interesat e Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë në këtë vend të rajonit strategjik të Azisë Qendrore. Korrespondenti Peter Fedisnki njofton nga Bishkeku si shikohen këto interesa në Kirgistan:

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë secila baza ajrore në Kirgistan. Vitin e kaluar, Presidenti Bakiyev siguroi ndihma me vlerë 2 miliardë dollarë nga Rusia, me premtimin se do të mbyllte bazën amerikane. Kjo bazë shërben për operacionet e furnizimit të trupave të Natos në Afganistan. Por Moska nuk do prani amerikane në këtë republikë ish-sovjetike. Ndërkaq zoti Bakiyev ofendoi Moskën kur rinegocioi marrëveshjen për bazën me Uashingtonin, duke e rritur qeranë nga 17.4 në 60 milionë dollarë.

Disa kirgizë i akuzojnë Shtetet e Bashkuara se, në shkëmbim për bazën, mbyllin sytë ndaj abuzimeve që ata thonë se janë kryer nga regjimi i zotit Bakiyev. Numri dy i qeverisë së përkohshme të Kirgistanit, Almazbek Atambayek thotë se ndryshe nga Uashingtoni, Rusia nuk predikonte për demokraci:

“Amerikanët ngrinin zërin gjithë kohën për demokraci, ndërkohë që ambasadori amerikan në Kirgistan mbulonte me mjeshtëri shkeljet e familjes Bakiyev. Aktivistët e opozitës u vranë ose u burgosën për hir të kësaj baze. Një vend i madh nuk duhet të sillet në këtë mënyrë. Mendoj se udhëheqësit amerikanë e kuptojnë këtë”.

Atambayeku i bëri komentet pas kthimit nga Moska, e cila ishte e para që njihte qeverinë e përkohshme. Ai tha se Rusia kishte premtuar të paktën 150 milionë dollarë ndihma për Kirgistanin.

Analisti i pavarur politik Tamerlan Ibragimov thotë se aktivistët e shoqërisë civile kirgize preferojnë shoqërinë e hapur amerikane krahasuar me modelin autoritar rus. Por ai pohon se populli kirgiz varet më tepër tek Rusia për mirëqënien e tij:

“Shumë kirgizë sigurojnë jetesën në Rusi dhe të ardhurat që u dërgojnë familjeve në Kirgistan luajnë një rol shumë të madh. Ata mbështesin familjet e tyre nga Rusia. Fshatra e qytete të tëra jetojnë me ato para”.

Ndërkaq, tregjet kirgize janë mbushur me mallra nga Kina, e cila ka një vijë të përbashkët kufitare prej 858 km me Kirgistanin. Gjatë revoltës në Kirgistan, Kina paralajmëroi shtetasit e saj të tregoheshin të kujdesshëm gjatë udhëtimeve në Kirgistan dhe shprehu dëshirën për një zgjidhje paqësore. Por profesori i Universitetit Shtetëror të Kirgistanit Murat Suimbayev thotë se shqetësimi kryesor i Kinës është stabiliteti në provincën Xinjiang, ku pakica ujgure lufton për pavarësi:

“Paqëndrueshmëria në Kirgistan do të ndikojë drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt në Xinjiang, qoftë thjesht për faktin që separatistët ujgurë do ta kenë më të lehtë të veprojnë në një Kirgistan të trazuar”.

Tamerlan Ibragimov e analizon paqëndrueshmërinë në prizmin më të gjerë rajonal:

“Ky është një rajon disi i trazuar. Këtu ndodhet Afganistani dhe nëse shohim pak më tutje, kemi edhe Iranin. Gjendja në Uzbekistan është po ashtu disi e trazuar. Për më tepër, po të kujtojmë se rajoni autonom i Xinjiang-ut ka qenë gjithmonë problematik për Kinën, atëherë ndoshta Pekini e sheh edhe vendin tonë nga ky prizëm”.

Revolta në Kirgistan e pati zanafillën tek dyfishimi i çmimit të energjisë elektrike. Por shërbeu për të nënvizuar kërcënimet e njohura në Afganistan që mund të kapërcejnë kufijtë shtetërorë në Azinë Qendrore, si terrorizmi, droga dhe ekstremizmi fetar. Analistët Ibragimov dhe Suimbayev nënvizojnë se interesat kineze, ruse dhe amerikane për të parandaluar probleme të tilla gjejnë një pikë të përbashkët në Kirgistan.

XS
SM
MD
LG