Lidhje

Shumë duhanpirës e fillojnë cigaren kur janë të rinj, për të zbuluar më vonë se nuk mund ta harrojnë kollaj zakonin . Ky është një shqetësim i madh për shëndetin publik. Si rezultat , shkencëtarët në të gjithë botën, në qeveri dhe në institucionet private, janë duke punuar mbi mënyrat për të ndihmuar njerëzit të ndalojnë pirjen e duhanit.

Në zyrën e Joanna Cohen në Institutin Johns Hopkins për Kontrollin Global të Duhanit , ka paketa cigaresh nga të gjitha llojet, ... disa janë të frikshme , ndërsa të tjerat të bukura.

Me kufizimet e reklamave në shumë vende, kompanitë e cigareve janë duke përdorur paketat si mjete reklamuese. Qeveritë i përdorin ato për të dekurajuar pirjen e duhanit. Hulumtues si zonja Cohen thonë se taksat janë nxitja më e mirë për të pakësuar pirjen e duhanit .

"Taksat janë një situatë e favorshme për të dyja palët . Duhanpirësit pinë më pak ndërsa qeveritë rrisin të ardhurat e tyre, kështu që taksat janë strategjia jonë më efektive dhe një propozim me vlerë. "

Organizata Botërore e Shëndetësisë po u bën thirrje qeverive të rrisin taksat mbi produktet e duhanit.

OBSH-ja thotë se taksat e larta janë veçanërisht efektive në pakësimin e përdorimit të duhanit në mesin e grupeve me të ardhura më të ulëta dhe në pengimin e të rinjve qysh në fillim.

Organizata thotë se një rritje e taksave prej 10 për qind pakëson përdorimin e duhanit nga 4 për qind në vendet me të ardhura të larta, deri në 8 për qind në shumicën e vendeve me të ardhura të ulëta dhe mesatare.

Statistikat tregojnë se janë një miliard duhanpirës në botë, pothuajse një në pesë vetë. Duhani vret deri në gjysmën e përdoruesve të tij.

Disa njerëz thonë se nëse duhani do të ishte i ndaluar, ata nuk do të pinin duhan.

"Unë kam qenë duhanpirës për 38 vjet. Është diçka shumë e vështirë për mua për të ndaluar me vullnet të lirë . "

Të tjerë thonë se janë aq të varur nga duhani, saqë do ta pinin atë edhe pse i dinë rreziqet shëndetësore.

"Një nga varësitë më të këqija në botë është pirja e duhanit. Brenda vetes sime, diçka më thotë ta lë. Nuk është e drejtë për trupin tim dhe për ata që kam pranë. "

Joanna Cohen thotë se qeveritë gjithashtu duhet të hartojnë më shumë strategji në mënyrë që ata që përpiqen ta lënë duhanin, të jenë më të suksesshëm .

"Shtatëdhjetë për qind e duhanpirësve thonë se duan ta lënë. Ne duhet të gjejmë stategji për të ndihmuar të mbështesim këta njerëz në drejtim të pakësimit të qasjes ndaj duhanit, duke e bërë produktin më të paarritshëm, më të vështirë për ta marrë, më të shtrenjtë dhe duke patur më pak reklama, më pak promovim për të. "

Ekspertët e shëndetit publik presin që numri i vdekjeve nga përdorimi i duhanit të rritet në vitet që vijnë, veçanërisht në vendet me të ardhura të mesme, ku pritet të shohim shumicën e sëmundjeve që lidhen me duhanin.

Ekspertët shpresojnë që strategjitë e reja për të parandaluar pirjen e duhanit, do të pakësojnë numrin e njerëzve që fillojnë duhanin.
XS
SM
MD
LG