Lidhje

Laboratori amerikan Fermilab përgatitet të kontrollojë rezultatet e laboratorit CERN

  • Kane Farabaugh

Laboratori amerikan Fermilab përgatitet të kontrollojë rezultatet e laboratorit CERN

Laboratori amerikan Fermilab përgatitet të kontrollojë rezultatet e laboratorit CERN

Shkencëtarët në laboratorin CERN deklaruan se kanë zbuluar një grimcë me shpjetësi më të madhe se ajo e dritës

Shkencëtarët në laboratorin CERN të fizikës në Gjenevë thonë se kanë identifikuar një grimcë nën-atomike që lëviz më shpejt se drita. Nëse vërtetohet, ky zbulim do të rrëzonte një ndër parimet bazë të fizikës dhe të teorisë së relativitetit të Ajnshtajnit. Por fizikanët në laboratorin Fermilab pranë Çikagos nuk janë të bindur nga deklaratat e kolegëve në Gjenevë. Për shkencëtarin Patrik Foks, teoria e relativitetit e Albert Ajnshtajnit është bazë e fizikës:

“E kam studiuar prej vitesh. E përdor në punën time të përditshme. Me pak fjalë, do ta quaja një deklarim se fizika duhet të jetë e pavarur nga shpejtësia e lëvizjes”.

Kjo përfshin edhe lëvizjen me shpejtësinë e dritës.

“Objektet e vetme që mund të lëvizin me shpejtësinë e dritës janë objektet pa masë, si drita”.

Shkencëtari Robert Plunkett shpjegon logjikën ekzistuese se grimcat nën-atomike si neutrinot mund të arrijnë thuajse pranë shpejtësisë së dritës, por kurrë më shpejt:

“Shpejtësia e dritës është shpejtësia absolute kozmike për lëvizjen e grimcave”.

Por shkencëtarët në Evropë thonë se kanë regjistruar një neutrino në lëvizje, që thyen kufirin e shpejtësisë së dritës. Nëse vërtetohet, kjo do të përmbyste kërkimet e afro një shekulli dhe do t’i detyronte shkencëtarët të rishikonin ligjet mbi masën dhe lëvizjen. Robert Plunkett ende nuk është bindur:

“Skepticizmi është gjithnjë një reagim normal në raste pretendimesh të tilla revolucionare”.

“Para se të eliminojmë parimin ku jemi bazuar deri tani, duhet të kontrollojmë rezultatet dhe t’i konfirmojmë nga burime të tjera”.

Një ndër ‘burimet e tjera’ është eksperimenti MINOS në laboratorin Fermilab. Eksperimenti që po zhvillohet në një tunel të madh nën tokë, gjeneron grimca që lëvizin nga ky laborator, në një pikë tjetër të planetit. Shkencëtarët në laborator regjistrojnë shpejtësinë e lëvizjes së grimcës.

"Eksperimenti MINOS mund të jetë ndër më të mirët për të realizuar një matje të tillë”.

Por zoti Plunkett thotë se është e lehtë të bëhen gabime në matjet e një grimce aq të vogël sa një neutrino. Ai beson se eksperimenti MINOS, pas disa modernizimeve, mund të japë një matje më të saktë të rezultateve të laboratorit CERN:

“Ne do të modernizojmë pajisjet, duke përdorur orë atomike, ashtu si në eksperimentet evropiane dhe do të realizojmë matje më preçize se matjet e kryera në laboratorin e Gjenevës”.

Por nëse gjatë eksperimentit MINOS, zbulohet se grimca neutrino lëviz me shpejtësi më të madhe se drita, fizikanë si Patrik Foks do të kenë një punë të madhe përpara për të përgatitur themele të reja për studimet e ardhshme shkencore në fizikë.

XS
SM
MD
LG