Lidhje

Lagarde, thirrje perëndimorëve të veprojnë për të përballuar krizën e besimit


Lagarde, thirrje perëndimorëve të veprojnë për të përballuar krizën e besimit
Lagarde, thirrje perëndimorëve të veprojnë për të përballuar krizën e besimit

Drejtorja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, u bëri thirrje udhëheqësve perëndimorë të veprojnë me shpejtësi dhe vendosmëri për të përballuar krizën e besimit që po dëmton ekonominë globale.

Zonja Lagarde i bëri komentet të premten, para takimit të zyrtarëve të lartë të ekonomisë të vendeve të zhvilluara industriale të botës. Bankat Qendrore, tha ajo, duhet t’i mbajnë interesat të ulta dhe të vazhdojnë programet për të nxitur rritjen ekonomike. Sipas zyrtares së lartë, rreziku i një krize ekonomike është sot më i madh se sa ai i inflacionit.

Ekonomistët thonë se në se teprohet me masat stimuluese ekonomike, ato mund të shkaktojnë rritje çmimesh, që do të shoqërohej me kërkesa për rritje pagash, duke u futur kështu në një cikël të rrezikshëm inflacioni.

Zonja Lagarde përshëndeti përpjekjet për të shkurtuar deficitet buxhetore dhe borxhet kombëtare, por shtoi se qeveritë duhet të tregohen të shkathta dhe të gatshme që t’i zbusin shkurtimet afat-shkurtëra, që ato të mos dëmtojnë ekonomitë e dobësuara që po përpiqen të rimarrin veten.

Ministrat e financave dhe drejtuesit e bankave qendrore të Grupit të 7-shes, janë mbledhur në Marsejë të Francës për të diskutar rreth ekonomisë globale. Bisedimet pasojnë njoftimet e fundit se rritja ekonomike pritet të jetë më e ngadaltë se sa parashikimet e deritanishme.

XS
SM
MD
LG