Lidhje

Lagjet e varfëra të Brazilit dhe masat kundër bandave të drogës

  • Jeff Swicord

Lagjet e varfëra të Brazilit dhe masat kundër bandave të drogës

Lagjet e varfëra të Brazilit dhe masat kundër bandave të drogës

Favelat apo lagjet e varfëra në kodrat e Rio De Zhanieros janë kontrolluar nga bandat e drogës për dekada me radhë. Ndërkohë që qyteti përgatitet të organizojë kampionatin botëror të futbollit më 2014 dhe lojrat olimpike verore më 2016, zyrtarët kanë filluar një program për largimin e bandave dhe përmirësimin e gjendjes së të varfërve. Në pjesën e parë të një serie dy pjesëshe mbi programin e paqësimit të favelave të Rio De Zhanieros, Jeff Swicord i Zërit të Amerikës i hedh një vështrim njësive të policisë, që kanë përgjegjësinë kryesore në këtë program.

Është 2 i mëngjesit në lagjen “Qyteti i Zotit,” një nga lagjet më të dhunshme të Rios, ku po zhvillohet një festë vallëzimi e quajtur Baile Funk. Shpesh këto festa organizohen nga bandat e dhunshme të drogës që kontrollojnë lagjet e varfëra, të cilat ndryshe quhen favela.

Në të kaluarën, shitësit e drogës endeshin rrugëve duke u krekosur me armët e tyre, gjë që nuk ndodh më. Kjo festë vallëzimi është organizuar nga policia, e cila i ka larguar bandat e lagjes përmes zbatimit të programit për vendosjen e qetësisë në favela. Kapiteni Jose Luiz de Medeiros drejton njësitë e policisë në lagjen “Qyteti i Zotit.”
“Ky është komuniteti i parë që ka pranuar njesitë tona të policisë. Njerzit nuk kanë patur besim të madh te policia. Ata kishin frikë të shikoheshin duke folur me policë. Ata kishin frikë se policia nuk do të rrinte, trafikantët e drogës do të ktheheshin, dhe atëherë ata do të kishin pasoja të rënda”.

Bandat e drogës në Rio janë famëkeqe për konfrontime të dhunshme me policinë, ashtu siç përshkruhen në këtë pamje në filmin e vitit 2003 “Qyteti i Zotit.”

Kur policia hyn në favela, qytetarët e rastit shpesh vriten gjatë shkëmbimeve të zjarrit. Popullsia e favelave frikësohet nga policët e Rios, të cilët akuzohen për korrupsion dhe vrasje të paligjshme.
Por frika nga këto veprime të policisë po venitet.
Programi i policisë për vendosjen e qetësisë synon të pakësojë shqetësimet mbi sigurinë para organizimit të kupës botërore dhe lojërave olimpike verore.

Deri tani qetësia është vendosur në 35 favela të Rios. Forcat ushtarake filluan të futen në këto komunitetete para dy vjetësh. Betejat me armë zjarri nganjëherë zgjasnin me javë dhe në një rast një helikopter i policisë u rrëzua. Pastaj, njësitë policore për vendosjen e qetësisë futen e hapin stacione policie në këto lagje dhe fillojnë të përmirësojnë marrëdhëniet me komunitetin.
“Kur njesitë tona vendosen nëpër lagje, ato fillojnë të sjellin programe sociale.”

Në disa komunitete, bandat e drogave kontrollojnë energjinë e elektrike, kanalet televizive, dhe ujin. Shpesh banorët përballeshin me mungesa. Këtu në favelën Santa Marta, njesitë e policisë kanë rivendosur furnizimet me energji elektrike dhe shërbimin me heqjes e plerave.

Ky ndryshim vërehet nga banorët. Në një klasë për mësimin e rrobaqepësisë në Santa Marta, Gergina Dos Santon Damasio thotë se gjërat kanë ndryshuar për mirë.
“Tani nuk shqetësohemi nga plumbat qorr. Mund t’i dërgojmë fëmijët në shkollë dhe mund t’i lëmë ata të luajnë në lagje. Dhe ka më shumë mundësi për ne. Njerëzit janë të gatshëm të vijnë në Santa Marta për të na mësuar rrobaqepësinë.”
Por jo të gjithë janë optimist. Kjo grua thotë se ajo është kundër programit për vendosjen e qetësisë, por ajo nuk jep ndonjë arsye. Një banor tjetër që nuk deshi të filmohej tha se “ pavarësisht nga prania e policisë njerëzit ende zhduken.’”

Sipas policisë, kjo festë vallëzimi Bale Funk është pjesë e përgjigjes. Për ata kjo është një mundësi për të treguar se ata janë forcë pozitive në komunitet. Për këta fëmijë, kjo është thjeshtë një mundësi argëtimi.

XS
SM
MD
LG