Lidhje

Largimi i zyrtarëve libianë, burim i mundshëm informacioni

  • Geri Tomas

Largimi i zyrtarëve libianë, burim i mundshëm informacioni

Largimi i zyrtarëve libianë, burim i mundshëm informacioni

Zyrtarët perëndimorë e përshëndetëm largimin e Ministrit të Jashtëm libian si një shenjë se qeveria e Moamar Gadafit po shpërbëhet. Megjithatë, forcat e kolonel Gadafit kanë zhvilluar një kundërsulm të fortë që i ka detyruar rebelët e opozitës të tërhiqen. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Geri Tomas, largimi i Ministrit të Jashtëm hap mundësinë e mbledhjes së shumë informacioneve të zbulimit rreth qeverisë libiane.

Para se të fillonte punën si diplomat, Musa Kusa ishte në krye të shërbimit libian të zbulimit, çka e bënte atë një ndër figurat më të larta pranë kolonel Gadafit. Reva Balla, analiste për Lindjen e Mesme në firmën Stratfor, që merret me informacione zbulimi, thotë se kjo e bën largimin e Musa Kusës tepër të vlefshëm për perëndimin.

"Ky është një njeri për të cilin çdo agjenci perëndimore zbulimi ka një dosje të madhe për të. Ai i di të gjitha. Pra, ai ka shumë informacione që do të ishin të vlefshme për partnerët e koalicionit për të kuptuar se ku janë dobësitë e Gadafit."

Ish oficeri i CIA-s Emil Nakleh thotë se Musa Kusa ka qenë në qendër të thuajse çdo vendimi politik të bërë nga kolonel Gadafi dhe di shumë hollësi për punën e qeverisë.

"Mendoj se është shumë e rëndësishme, sepse gjatë viteve, ai ka qenë ndoshta personi më i afërt i Gadafit. Dhe jo vetëm kaq, po ai ka qenë edhe i përfshirë drejtpërdrejt në shumë vendime të rëndësishme në lidhje me Libinë, si vendime pozitive, ashtu edhe negative."

Zoti Kusa ishte në krye të negociatave me perëndimin për ta bërë Libinë të hiqte dorë nga programi i armëve bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve. Por analistët thonë, se si shef i sigurimit libian, ai ka qenë i përfshirë edhe në mbështetjen ndaj terrorizmit.

Analistë besojnë se përpjekjet për ta bërë Musa Kusën të braktiste kolonel Gadafin kishin filluar prej kohësh. Emil Nakleh thotë se duke marrë parasysh pozitën dhe njohuritë e zotit Kusa, ai sigurisht që do të ishte ndër objektivat kryesorë të perëndimit.

"Nuk besoj se ai vendosi vetë. Mendoj se kontaktet intensive në prapaskenë do të jenë zhvilluar mes tij dhe perëndimorëve. Do të isha zhgënjyer nëse shërbimet tona të zbulimit dhe qeveria jonë nuk do të ishin përpjekur ta kontaktonin atë dhe ta inkurajonin të largohej."

Zoti Kusa u shfaq në Britani dhe analistët thonë se largimi duhet të jetë përgatitur nga shërbimi britanik i zbulimit MI-6. Ai ka qënë gjithashtu ambasador i Libisë në Britani në vitin 1980.

Gjatë njoftimit për arritjen e Musa Kusës, Sekretari i Jashtëm Britanik Uilliam Hejg tha se largimi i tij tregonte se kolonel Gadafi po e humbiste me shpejtësi mbështetjen.

"Dorëheqja e tij tregon se regjimi i Gadafit, prej të cilit janë larguar disa persona që kanë kaluar në opozitë, është e përçarë, nën presion dhe po shpërbëhet nga brenda. Gadafit duhet të jetë duke menduar se cili do të jetë personi tjetër që do të largohet prej tij."

Edhe zyrtarë të tjerë libianë njoftohet të jenë larguar. Por Reva Balla vë në dukje se disa prej njoftimeve nuk kanë qenë të vërteta, prandaj ajo paralajmëron se qëndrimi në pushtet i Gadafit nuk duhet të shihet vetëm nga ky aspekt.

"Mendoj se largimet po egzagjerohen deri diku. Kishte një retorikë të thellë nga kryeqytetet evropiane dhe Uashingtoni ku thuhej se kjo është një shenjë e qartë se Gadafi është plotësisht i izoluar dhe se i ka ditët e numëruara. Sigurisht që Gadafi është në pozitë të vështirë. Por nuk mendoj se situata është aq e dëshpëruar sa e bëjnë disa."

Emil Nakleh thotë se largimet kryesore që duhet të priten duhet të vijnë nga ndonjë prej djemve të kolonel Gadafit. Një gjë e tillë, thotë ai, do të tregonte qartë se udhëheqësi libian është gati të rrëzohet.

XS
SM
MD
LG