Lidhje

Largohet Stiv Xhobs, vizionari i firmës Apple

  • Zëri Amerikës

Largohet Stiv Xhobs, vizionari i firmës Apple

Largohet Stiv Xhobs, vizionari i firmës Apple

Stiv Xhobs, njeriu me bluzë të zezë dhe xhinse, i cili qëndron prapa produkteve të tillë si iPhone dhe iPad, po largohet si shef ekzekutiv i firmës Apple, gjigandit të teknologjisë. Xhobs është përshëndetur si një vizionar, që parashikoi se këto produkte do të bëheshin mjaft të dashura për njerëzit kudo në botë.

Firma Apple u rrit, duke u kthyer në njërën nga kompanitë më të fuqishme të botës ndërkohë që shëndeti nuk e lejoi shefin e saj ekzekutiv të vazhdojë punën frytdhënëse. Dorëheqja e Stiv Xhobsit duket të jetë pasojë e një sëmundjeje të paspecifikuar, për shkak të së cilës ai u largua me leje në muajin janar. 56 vjeçari Xhobs e bëri të ditur dorëheqjen mbrëmë, në një letër drejtuar bordit të kompanisë si dhe komunitetit Apple.

Xhobs e themeloi firmën Apple me Stiv Wozniak në një garazh shtëpie në vitin 1976, dhe kompania e tyre prodhoi kompjuterin e saj Macintosh tetë vjet më vonë.

Më pas, bordi i drejtorëve e detyroi Xhobsin të largohet, por ai u rikthye në vitin 1997 për ta drejtuar firmën Apple në shtigje të reja duke bërë që ajo të shndërrohet në njërën nga kompanitë më të suksesshme dhe më fitimprurëse në botë.

Analisti financiar në Hong Kong, Francis Lun thotë se teknologjitë e krijuara nga firma Apple nën drejtimin e Xhobsit e kanë ndryshuar për gjithnjë mënyrën se si bota përdor telefonat dhe kompjuterat.

"Stiv Xhobs arriti të hedhë në treg tre produkte të ndryshme që në fakt ndryshuan jetën e njerëzve – iPodin, iPhonin dhe iPadin.”

Shëndeti i Stiv Xhobsit ka qenë prej kohësh një shqetësim për investitorët që e shohin atë si orakull të teknologjisë.

Tim Bajarin, analist i respektuar i teknologjisë, thotë se ai pret që Apple të mbetet një kompani e fortë në të ardhmen.

"Kjo është një nga kompanitë e drejtuara më mirë në botë, me një nga rezervat më të mëdha në kesh."

Këtë muaj, Apple u bë kompania me vlerën më të madhe në Shtetet e Bashkuara, duke ia kaluar përkohësisht firmës Exxon Mobil.

Inxhinieri P.K. Kalyan-raman thotë se Xhobs ka qenë një "figurë në hije" prej të paktën 18 muajsh dhe se Apple do të "funksionojë shumë mirë" edhe pa të për të paktën disa vjet.

"Por më vonë, mbetet për të parë se sa përparim do të bëjnë ata në teknologjinë e re dhe se sa do ta ndjekin ritmin e tregut. Këtë do ta shikojmë tek njeriu që do të vijë në vend të tij.”

Specialisti Stivën Kelli thotë se ndonëse gjenia novatore e Jobsit ishte diçka unike, kompania që ai ndërtoi do mbijetojë edhe pa atë.

"Unë nuk mendoj se do të ketë shumë dallim. Mendoj se Apple e ka ndërtuar tashmë klientelën e saj si dhe atë që mund ta quajmë kultin Apple."

Popullariteti i firmës Apple ka ardhur duke u rritur në Shtetet e Bashkuara gjatë gjithë viteve 2000. Gjithnjë e më shumë përdorues besnikë të sistemit Windows kanë përqafuar produktet e firmës Apple.

Produktet e reja të Xhobsit u rritën vazhdimisht në cilësi dhe në shumëllojshmëri. Në fillim doli iMac, pastaj iPodi, iPhoni, dhe më së fundmi kompjuteri iPad.

XS
SM
MD
LG