Lidhje

Ekonomia e Nju Orlinsit 10 vjet pas uraganit

  • Greg Flakus

10 vjet pas përmbytjes shkatërrimtare që mbuloi pjesën më të madhe të Nju Orlinsit pas uraganit Katrina, qyteti port në jug të Shteteve të Bashkuara po shpenzon miliona dollarë për të modernizuar infrastrukturën për të mbështetur industritë ekzistuese dhe sipërmarrje të reja.

Muzika ende vazhdon të tërheqë shumë njerëz në Nju Orlins, veçanërisht të rinj, shumë prej të cilëve shkojnë sepse u pëlqen të jetojnë atje:

“Thejsht e vendosa. E dua këtë qytet, më tërheq, vij këtu tre ose katër here në vit sepse më merr malli. Prandaj vendosa të vendosem këtu dhe të shohim se si do shkojë”, - thotë një banore.

Njerëzit e arsimuar dhe me aftësi të vlefshme, nuk e kanë të vështirë të gjejnë një punë, falë industrive të rimëkëmbura dhe investimeve të mëdha në kompani të reja teknologjike:

“Ne jemi në vend të parë përsa i takon ardhjes së të rinjve nën 25 vjeç me arsim universitar”.

Nju Orlins dhe shteti i Luizianës kanë përfituar nga fondet federale të rimëkëmbjes, si edhe investime masive nga firma private kapitali, si të brendshme ashtu edhe të huaja:

“Luiziana është në vend të parë për frymë për investime direkte të huaja; kemi pasur vitet e fundit investime nga Evropa, Azia, Amerika e Jugut”.

Nju Orlins i pati fillesat si qytet port dhe më shumë se kurrë është e lidhur me botën.

“Tregëtia është forcuar. Porti i Nju Orlinsit e ka dyfishuar aktivitetin që nga viti 2009, por ne gjithashtu po sjellim industri të reja” , - thotë Nënkryetari i Bashkisë.

Shumë njerëz të talentuar punojnë në industri si media elektronike që as nuk ekzistonin kur goditi Katrina, para 10 vjetësh.Por mirëqenia e qytetit nuk ka ndihmuar këdo:

“Megjithëse po shohim rritje të përqindjes së punësimit mes burrave të bardhë, tek burrat afrikano-amerikanë përqindja e punësimit është rreth 50 për qind, po aq sa para Katrinës” - thotë një banore.

Zyrtarë të bashkisë dhe shtetit kanë hapur programe për të trajnuar punëtorë pa aftësi të veçanta dhe për të përmirësuar shkollat, por zbutja e pabarazisë në të ardhura mund të dojë shumë vite.

XS
SM
MD
LG