Lidhje

“Shqipëria e Gjeneratës tjetër” dhe territori


Rama: “Vendi ka nevojë urgjente që të trajtojë problemet e veta me një qasje krejt të re, sepse modeli i deritanishëm ka hapur plagë të mëdha”.

Partia Socialiste nisi sot në Tiranë konferencën dyditore “Shqipëria e Gjeneratës tjetër” për miradministrimin e territorit dhe ekonomisë me pjesëmarrjen e mbi 50 arkitektëve, urbanistëve dhe ekonomistëve me përvojë ndërkombëtare për të shtjelluar ide dhe propozime për ndryshime rrënjësore në këto dy fusha, duke i parë ato të lidhura fort me njëra tjetrën.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili pritet të zgjidhet kryeministër në seancat e para të parlamentit të ri në shtator, tha në hapje të konferencës se “vendi ka nevojë urgjente që të trajtojë problemet e veta me një qasje krejt të re, sepse modeli i deritanishëm ka shterruar duke hapur plagë të mëdha në shoqëri, në territor dhe në ekonomi”. Ai theksoi se “vendi është sot në kushtet e një emergjence kombëtare, se duhet vepruar me guxim për ta përballuar atë dhe se qeveria e re do të ndërpresë inercinë e shkatërrimit të potencialeve të mëdha që ka territori shqiptar për zhvillim ekonomik e social”.

Draft Entry
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:45 0:00

Zoti Rama tha se vendosja e kontrollit mbi territorin, duke projektuar dhe realizuar konkretisht, është një sfidë, që do të ecë paralel me një shndërrim të madh shoqëror me integrimin e dhjetëra mijëra familjeve shqiptare që kanë ndërtuar shtëpitë pranë qyteteve. Sipas tij, për të prodhuar punësimin dhe mirëqenien e shumëpritur nga qytetarët, qeveria e re do të ndryshojë modelin e qeverisjes së territorit dhe të ekonomisë.

Konferenca e Partisë Socialiste u ndoq me interesim të veçantë nga specialistët e kësaj fushe. Një nga ekspertët e njohur shqiptarë për planifikimin e zhvillimit të qëndrueshëm, Lavdosh Ferunaj, thotë se konferenca e sotme është një ngjarje me rëndësi të madhe, sepse tregon seriozitetin e qeverisë së re, duke vënë si kryefjalë të punës së saj miradministrimin e territorit dhe ekonomisë, dhe duke hedhur piketat e para se si do të administrohet territori shqiptar në të ardhmen, gjë që është edhe detyrë ligjore.

Zoti Ferunaj, me përvojë në zhvillimin rural dhe mjedisor, thotë se “gjatë 20 vjetëve Shqipëria ka ecur pa asnjë pikë orientimi në zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë, duke djegur mjaft investime të gabuara dhe pa të ardhme në industri të ndryshme, sepse vendi nuk ka ende një plan kombëtar zhvillimi. Kjo punë që nisi sot nuk është një proces i lehtë dhe kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e gjerë të faktorëve politikë dhe teknikë për të patur sukses në ndalimin e mëtejshëm të ndërtimeve informale”.

Specialistët besojnë se nisma e re synon hartimin e një plani të qëndrueshëm afatgjatë për zhvillimin e vendit, duke lënë pas ndërtimet dhe investimet kaotike dhe të paharmonizuara. Për të riparuar dëmet e bëra deri sot, sipas tyre, duhet nisur së pari nga ndalimi i plotë i ndërtimeve pa leje në të gjithë territorin, të cilat deri tani kanë arritur në rreth 300 mijë ndërtime informale. Një grup prej mbi 50 ekspertësh të huaj të ftuar nga Partia Socialiste vizituan për dy ditë Shqipërinë, dhe dolën me disa përfundime dhe propozime kolegjiale, që po i shfaqin në konferencën e Tiranës, e cila nesër vijon me vështirësitë ekonmike të vendit.

XS
SM
MD
LG