Lidhje

Lavrov kritikon BE-në për Ukrainën


Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kritikoi Bashkimin Evropian për qëndrimin që po mban në trazirat politike të Ukrainës. Ai tha se BE-ja po përpiqet të krijojë një "sferë ndikimi" duke i bërë trysni Ukrainës për të zgjedhur si partner Bashkimin Evropian në vend të Rusisë.

Duke folur sot në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij gjerman, Frank - Walter Steinmeier, zoti Lavrov tha se Rusia beson se ukrainasit vetë duhet të gjejnë një rrugëdalje nga kriza e tyre politike:

"Ndërkohë, partnerët tanë evropianë thonë se Ukrainës duhet t'i jepet mundësia për të bërë një zgjedhje të lirë në favor të integrimit evropian. Pra, kur flasim për lirinë e zgjedhjes, ne ndoshta duhet të jemi të sinqertë dhe të mos imponojmë me veprimet tona alternativat, duke pretenduar se ato janë të lira,'' tha zoti Lavrov.

Ministri i jashtëm rus tha se situata është "e qartë" dhe se retorika diplomatike nuk mund ta fshehë këtë fakt.

Nga ana e tij, zoti Steinmeier duket se u shpreh dakord dhe tha se Ukraina nuk duhet të shihet si një "lojë gjeopolitike shahu." Ai tha se ukrainasit duhet të lejohen ta gjejnë vetë zgjidhjen politike.

Të hënën, Bashkimi Evropian bëri thirrje për formimin e një qeverie të re në Ukrainë të pasuar nga zgjedhje presidenciale të lira e të ndershme, por nuk bëri thirrje për sanksione.

Qendra e Kievit vazhdon të jetë e bllokuar nga barrikadat, ndërkohë që konfrontimi mes protestuesve dhe qeverisë hyn në javën e tretë.

Protestat shpërthyen në nëntor, pasi presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç, nuk pranoi të nënshkruajë një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian, por nënshkroi marrëveshje me Rusinë.
XS
SM
MD
LG