Lidhje

SHBA, ligjvënësit mbi konfliktin në Irak


Përparimi i shpejtë i militantëve radikal suni në Irak ka nxitur shqetësime të mëdha në mesin e ligjvënësve amerikanë nga të dyja partitë e mëdha politike. Por pak prej tyre flasin mbi atë se si Shtetet e Bashkuara duhet t’i përgjigjen kësaj situate. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikë, Michael Bowman, përkeqësimi i situatës së sigurisë në Irak vjen në një kohë kur amerikanët kanë pak entuziazëm për angazhimin ushtarak të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit.

Tre vjet pas largimit të forcave amerikane, konflikti sektar ka ngulfatur Irakun, ku militantët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit kanë pushtuar disa pjesë të vendit.

Situata kërkon një përgjigje urgjente të Shteteve të Bashkuara, thotë senatori republikan Mitch McConnell.

"Administrata duhet të veprojë shpejt duke i ofruar ndihmë qeverisë së Malikit para se përparimet e bëra nga trupat amerikane dhe aleate të fshihen, dhe para se ISIL të zgjerojë territoret e saj të sigurta nga të cilat në të ardhmen mund të kërcënojë Shtetet e Bashkuara".

Por senatori McConnell, si shumica e ligjvënësve tjerë amerikanë, nuk po thotë saktësisht se çfarë duhet të bëjë administrata e Presidentit Obama. Kujdesi i tillë nuk është befasi, thotë politologu John Mueller.

"Mendoj se ata janë të paqartë sepse nuk e dinë se çfarë duhet bërë. Një nga alternativat është heqja dorë nga Iraku, thjeshtë duke u thënë irakianëve merruni vetë më këtë çështje. Por nëse ndodh kjo, atëherë situata a tanishme, që duket katastrofike nuk do të ndryshojë shumë".

Shumë republikanë po kritikojnë administratën e Presidentit Obama për mos lënien e një force ushtarake amerikane në Irak pas vitit 2011.

"Presidenti tërhoqi tërësisht forcat tona pa negociuar mbetjen e një pranie ushtarake atje. Një forcë e tillë do të kishte ruajtur arritjet e bëra në terren duke këshilluar partnerët tanë dhe duke ndihmuar në kontrollimin e situatës dhe ndarjen e informacioneve të zbulimit".

Por shumë demokratë akuzojnë republikanët për hipokrizi, duke vënë në dukje se përgatitjet e Amerikës për tërheqjen nga Iraku u bënë nga ish-presidenti republikan George W. Bush. Brad Sherman është ligjvënës demokrat.

"Është absurde të thuash që Presidenti Obama duhej të ishte në gjendje të negocionte një marrëveshje afatgjatë me Kryeministrin Maliki, kur vetë presidenti Bush nuk arriti ta bënte këtë".

Udhëheqësi i shumicës në senat, Harry Reid është dakord me këtë vlerësim.

"Nuk duhet të dërgojmë përsëri ushtarë në Irak. Ata që sulmojnë presidentin Obama për kthimin e trupave në atdhe thjeshtë janë të gabuar".

Sondazhet e reja tregojnë se shumica dërrmuese e publikut amerikan është kundër dërgimit të trupave amerikane në Irak, dhe më pak se 20 përqind e të anketuarve i lidhin luftimet aktuale me tërheqjen e forcave amerikane. Megjithatë, republikanët thonë se Iraku është shembulli i fundit i dobësisë amerikane në skenën botërore nën një Administratë Demokrate. Profesori Mueller nuk është dakord me këtë vlerësim.

"Mendoj se opinioni publik ka qenë kryesisht në anën e demokratëve. Demokratët thjeshtë mund të thonë:"A doni të hyni në një luftë tjetër? Sa ushtarë amerikanë doni të humbisni në Lindjen e Mesme?"

Ndërkohë, lajmet nga Iraku vazhdojnë të jenë të zymta, militantët suni tani ndodhen më pak se njëqind kilometra nga Bagdadi.
XS
SM
MD
LG