Lidhje

Lazarat, mal me marijuanë dhe armë

  • Armand Mero

Pothuajse pas derës së çdo shtëpie që policia po kontrollon në Lazarat, 24 orë pasi mori kontrollin e fshatit në jug të vendit, i cili ishte bërë simbol i kultivimit të marijuanës, policia po gjen sasi të mëdha marijuane, rrënjë bimësh gati për t’u mbjellë dhe armë e municione.

Sipas njoftimeve të fundit të policisë, deri më tani janë sekuestruar mbi 30 ton marijuanë dhe mbi 100 mijë fidanë canabis sativa apo bimë tashmë të mbjella. Ndërkohë armatime nga të ndryshmet janë zbuluar nga policia, bëhet fjalë për mitralozë të rëndë, antitanke, grantahedhës, automatikë, pistoleta dhe dhjetra mijrë fishekë apo municione të llojeve nga më të ndryshmet.

Deri më tani janë 15 personat e arrestuar, ndërsa në fshat po vazhdojnë kontrollet shtëpi më shtëpi. Në Lazarat për të takuar forcat e policisë të cilat u angazhuan në një operacion i cili nisi që të dielën e shkuar ishte dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm Artan Didi ka drejtuar dhe ndjekur nga afër të gjitha veprimet e policisë edhe gjatë kësaj faze.

Ne Tirane, daljen e tij të parë publike pas vënies nën kontroll nga policia të fshatit të Lazaratit pas një rrethimi që zgjati 5 ditë, kryeministri Edi Rama e nisi me falenderime dhe mirënjohje për forcat e rendit të cilat sic tha ai u angazhuan në operacionin më të rëndësishëm, më të rrezikshëm dhe më masiv policor në tërë këto vite: “Policia e Shtetit e shkatërroi tabunë 20 vjeçare, të një zone që krimi e kishte vetëshpallur Republikë më vete dhe e kishte kthyer në një njollë turpi për Republikën e Shqipërisë”.

Nuk munguan menjëherë më pas akuzat për mburojën politike që sipas zotit Rama i është dhënë Lazaratit në vitet e shkuara: “Sot, pas pesë ditësh luftë me një hordhi kriminelësh të rritur në prehrin e politikës dhe të lidhur ngushtë me pushtetin e deridjeshëm, ajo Republikë e turpit politik e shtetëror nuk ekziston më dhe Lazarati është thjesht një fshat i Shqipërisë si mijëra të tjerë”.

Për këtë zonë kryeministri deklaroi se do të bëhet gjithshka që komuniteti i atjeshëm ti kthehet kushteve normale të jetës si cdo fshat tjetër i vendit, Zoti Rama shprehu angazhimin “për t’ju krijuar kushtet, që jeta e tyre të normalizohet dhe që ai fshat, që sot është njësoj si të tjerët, të bëhet si të tjerët. Përsa i takon mundësive që duhet t’u krijohen familjeve, që duhet t’u krijohen atyre që duan të jetojnë me punë të ndershme dhe që duhet t’u krijohen fëmijëve të tyre, për të jetuar në shtëpitë e të parëve të tyre”.

Kryeministri e mbylli deklaratën e tij publike me një thirrje të fortë drejtuar Prokurorit të përgjithshëm “për t’i shkuar deri në fund fazës së dytë të këtij operacioni, që është zbardhja dhe ndëshkimi për çdo provë të zbardhur i të gjithë kësaj veprimtarie shumëvjeçare kriminale, deri në sekuestrimin e qindarkës së fundit të të gjithë pasurive dhe parave të zeza, që janë akumuluar në kurriz të njerëzve të thjeshtë, të kthyer në skllevër dhe në kurriz të një Shqipërie të tërë, nga këta kriminelë që duhet të marrin atë që meritojnë”.

Më herët Drejtori i përgjithshëm i policisë Didi por edhe ministri i Brendshëm Tahiri kishin shprehur pakënaqësi ndaj angazhimit të prokurorisë në Lazarat në këto momente.

Por nga prokuroria sqaruan për Zërin e Amerikës se “ndërhyrja në Lazarat është bërë pas një hetimi disamujor të Krimeve të Rënda, ku janë evidentuar dhe faktuar organizatorë dhe transportuesë të lëndeve narkotike, pas faktimit të përgjegjësise penale të rreth 100 personave”, shpjegoi zëdhësi i Prokurorisë së Përgjithshme Albi Serani . Sipas tij “roli kryesor i prokurorisë është hetimi, ndërsa vendngjarja mund të administrohet edhe nga oficerët e policisë gjyqësore të policisë së Shtetit, të cilët më pas referojnë në prokurori. Gjithesesi, shtoi zëdhënësi -prokuroria nuk e ka lënë asnjë ditë bosh terrenin, gjatë operacionit, duke drejtuar hetimin. Duke parë volumin e lartë të vendeve të ngjarjes në Lazarat, Prokuroria ka shtuar praninë e saj me drejtues të lartë të saj, për të orientuar policinë në hetime”, nënvizoi zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme
XS
SM
MD
LG