Lidhje

Shpërthime në Lazarat, dëme materiale

  • Raimond Kola

Disa shpërthime të njëpasnjëshme kanë shkaktuar tensione në fshatin Lazarat të Gjirokastrës.

Pas një incidenti mes një grupi të armatosur dhe policisë, të ndodhur pesë ditë më parë, kanë pasuar tre shpërthime të tjera, në harkun kohor të pak ditëve.

Shpërthimi i parë dëmtoi një shtyllë elektrike në afërsi të fshatit nga shpërthimi i dytë pati dëme materiale në shtëpinë e një banori në këtë fshat, ndërsa në shpërthimin e tretë, që u shënua mbrëmjen e së dielës, u dëmtua një lokal në periferi të Lazaratit.

Policia thotë se po kryen hetime mbi incidentet dhe deri tani nuk ka dhënë asnjë informacion mbi motivet e shpërthimeve. Pas incidentit me policinë, forcat speciale policore kryen kontrolle në fshat, por pa arritur të kapin autorët e dyshuar që hapën zjarr ndaj një patrulle të policisë.

Tensionet në Lazarat vijnë gati një vit pas një ndërhyrjeje policore në shkallë të gjerë për të marrë kontrollin në këtë fshat, të njohur më parë për kultivimin masiv dhe transportimin e lëndëve narkotike.

Pas frenimit të kultivimit të marihuanës, bllokimit të disa tonëve lëndë narkotike dhe arrestimit të dhjetëra personave, incidentet janë rishfaqur.

XS
SM
MD
LG