Lidhje

Operacion në Lazarat, reagim i armatosur


Policia tha se nga dy automjete u qëllua me armë dhe gjatë operacionit pati shkëmbime zjarri, por jo viktima

Policia u përball sot me reagimin e armatosur të disa personave gjatë një operacioni në fshatin Lazarat të Gjirokastrës për të shkatërruar sipërfaqet e mbjella me hashash.

Operacioni u krye në orët e para të mëngjesit në një nga zonat e sipërme të këtij fshati dhe u drejtua nga Nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Disa mijëra bimë narkotike janë asgjësuar në terren nga forcat e shumta policore të cilat janë mbështetur dhe nga reparte speciale të ardhura nga Tirana. Policia tha se nga dy automjete u qëllua me armë dhe gjatë operacionit pati shkëmbime zjarri, por jo viktima.

Policia ka shprehur vendosmërinë se do t`i vazhdojë operacionet për të frenuar kultivimin e narktoikëve ne Lazarat, megjithe tensionet me grupe banoresh. Sipas burimeve policore, kultivimi në këtë periudhë është në një aktivitet intensiv nga një pjesë jo e vogël e banorëve të fshatit. Policia po shkatërron vatra bimësh të reja që kultivohen për tu mbjellë dhe po shoqëron çdo ditë njerëz që shkojnë në kete fshat për të punuar për kultivimin e hashashit.

Shumica e hashashit që kultivohet në Lazarat transportohet drejt Greqisë fqinje përmes kufirit tokësor apo detar. Dhjetëra trafikantë shqiptarë dhe grekë janë arrestuar gjatë këtij viti si nga policia shqiptare dhe ajo greke, ndërkohë që janë sekuestruar disa qindra kilogramë lëndë narkotike në të dy anët e kufirit.
XS
SM
MD
LG