Lidhje

Lazarati si dukuri sociologjike


Pas operacionit policor kundër drogave dhe kultivimit të narkotikëve në zonën jugore të Lazaratit, sociologët mendojnë se tashmë është casti që aty të kthehet kujdesi shtetëror dhe mbarëvajtja sociale. Ata pohojnë se komuniteti i Lazaratit ka jetuar për shumë vite me një status të vecantë, me vetëgjyqësi, me pushtet force dhe me pasuri të mëdha. Lazarati provokoi ndryshime edhe në konceptin bazë të shqiptarëve për pasuritë e pamerituara, dhe për pasuri të dëmshme që vijnë nga droga.

Shefi i departamentit të punës sociale në Universitetin e Tranës, Edmond Dragoti, thotë që alibitë se ata u morën me drogë nga papunësia dhe varfëria nuk qëndrojnë, sepse këto probleme i ka e gjithë Shqipëria, ndaj vështirësitë zgjidhen njëlloj në të gjithë vendin, pa i shkelur ligjet. Zoti Dragoti thotë se ata nuk duhen privilegjuar dhe as nuk duhen diskriminuar më tej, por duhet të përshtaten me statusin e barabartë me qytetarët e tjerë të Shqipërisë. Kryesorja është që ata banorë të mos etiketohen dhe të mos ndëshkohen masivisht.

Sociologë të tjerë mendojnë se pas largimit të policisë gjithë zona nevojitet të shqyrtohet nga grupe të gjera specialistësh të cështjeve sociale dhe ekonomike. Sipas tyre, banorët e Lazaratit tani duhet të përshtaten me ligjet dhe rregullat e shtetit dhe shoqërisë, të kalojnë të njëjtat probleme si gjithë të tjerët, sepse deri dje nuk janë përfshirë në to. Shef i departamentit të socilogjisë në Universitetin e Tiranës, Zyhdi Dervishi, thotë se vështirësitë ekonomike i shtynë një pjesë të banorëve të Lazaratit, që t'i futen kësaj rruge antiligjore. Shteti duhet të investojë atje, duke vënë në lëvizje gjithë burimet natyrore dhe fuqinë industriale të asaj zone. Ekonomia është zgjidhja e problemit.

Sociologët mendojnë që ngjarjet e fundit në Lazarat ishin shumë të rëndësishme për vetë atë krahinë dhe për imazhin e Shqipërisë në Europë. Sipas tyre, këto ngjarje po ndryshojnë edhe pikëpamjet e banorëve për vetveten dhe për statusin e tyre social. Prof. Dragoti thotë se gjendja mund të përmirësohet duke filluar nga fëmijët, sepse ata kanë aftësi përshtatje më të madhe se moshat e tjera. Fëmijët janë të pafajshëm dhe përmirësohen më shpejt. Fëmijët e Lazaratit nuk duhet të ndjejnë diskriminim, por duhet të pranohen në shoqëri, që të ndjejnë të njëjtat emocione si moshatarët e tyre. Duhet shmangur hendeku midis fëmijëve të Gjirokastrës dhe periferive si Lazarati.

Nga ana tjetër, prof. Dervishi thotë se faza e parë -faza policore- u zgjidh shpejt dhe policia duhet përgëzuar, që e zgjidhi pa gjakderdhje. Ishte një zgjidhje fatlume, theksoi ai, dhe në fakt banorët e mbështetën policinë, por edhe rezistenca nuk ishte aq e madhe sa pritej nga shumëkush. Sipas tij, zhvillimi ekonomik dhe zënia me punë e banorëve do t'i largojë ata gjithnjë e më shumë nga historia me canabis.

Studiuesit pohojnë se varfëria dhe papunësia i shtyu shumë shqiptarë gjatë tranzicionit që të shkelin ligjet, të arratisen me gomone drejt Italisë, të emigrojnë nga malet drejt Greqisë, të përfshihen në shumë veprimtari kriminale të vogla e të mëdha duke shkelur traditat e tyre. Tani, theksojnë ata, tranzicioni mbaroi, perspektiva është më e qartë, dhe zhvillimi është më afër, ndaj Shqipëria duhet të kërkojë investime europiane për t'u zhvilluar ekonomikisht, për të fshirë emrin e keq dhe për t'i treguar ndërkombëtarëve vlerat e vërteta të shoqërisë shqiptare.

XS
SM
MD
LG