Lidhje

Jep dorëheqjen Ministri i Brendshëm francez, Bruno Le Roux


Ministri i Brendshëm francez Bruno Le Roux dha dorëheqjen të martën si rezultat i akuzave se ai kishte punësuar vajzat e tij si ndihmëse parlamentare. Ato nuk i kishin përmbushur të gjitha funksionet për të cilat ishin paguar:

Vajzat ishin ende në shkollë të mesme, kur morën kontratën e parë dhe vazhduan të punonin për të atin edhe gjatë studimeve universitare.

Ligjvënësit francezë kanë të drejtë të punësojnë anëtarët e familjes si ndihmës të tyre, nëse ata mund të bëjnë punën.

Zoti Le Roux e ka pranuar se i ka paguar vajzat si ndihmëse të tij gjatë kohës kur ishte anëtar i parlamentit dhe vajzat ishin me pushime verore, por thotë se nuk ka bërë asgjë të paligjshme.

"Sot, ashtu si dje dhe si gjatë 20 viteve të fundit, unë jam krenar të them se kam respektuar rolin e deputetit në parlament dhe përgjegjësitë e kësaj detyre. Dua ta përsëris se unë jam i ndershëm në marrëdhëniet dhe angazhimin tim politik. Unë kam një përgjegjësi për të mbrojtur punën e qeverisë dhe kjo është arsyeja pse sot i ofrova Presidentit dorëheqjen time."

Zyra e presidentit menjëherë njoftoi se Ministri i Tregtisë dhe Turizmit, Matthias Fekl është zgjedhur si zëvendësues i zotit Le Roux.

Zyra e prokurorit francez për çështjet financiare, e ngarkuar me luftën kundër korrupsionit dhe shkeljeve financiare e evazionit fiskal, tha në një deklaratë të martën, disa orë para dorëheqjes së zotit Le Roux, se kishte hapur një hetim për akuzat.

Skandali ka shumë të përbashkëta me rastin e kandidatit presidencial Francois Fillon, i cili ka humbur një numër të konsiderueshëm përkrahësish, pas akuzave se ai kishte punësuar gruan e tij dhe e kishte paguar atë për punë që ajo nuk i kishte bërë.

XS
SM
MD
LG