Lidhje

Tensione në rrritje në Liban


Zyrtarët libanezë të sigurisë thonë se të paktën gjashtë njerëz janë plagosur në përleshjet në jug të Beirutit, mes tensioneve në rritje, pas vrasjes së një zyrtari të lartë. Ndërkohë, një grup protestuesish kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit libanez, për shkak të vrasjes së një gjenerali të zbulimit të premten.

Në zonën që ndan lagjet suni dhe shiite në kryeqytetin libanez u dislokuan ushtarë dhe tanke për të vendosur qetësinë.

Ndërkohë, të paktën një person u vra gjatë luftimeve në qytetin verior libanez të Tripolit.

Protestuesit kanë ngritur tenda pranë zyrave të kryeministrit Najib Mikati dhe kanë deklaruar se do të qëndrojnë atje deri sa ai të japë dorëheqjen.

Demonstruesit po i kërkojnë Z. Mikati të largohet nga posti për shkak të vrasjes së gjeneralit Wissam al-Hassan, zyrtar i lartë i zbulimit, i cili humbi jetën së bashku me shtatë persona të tjerë nga shpërthimi i një makine-bombë të premten.

"Ne do të protestojmë derisa kabineti të japë dorëheqjen, sepse kjo qeveri nuk është në gjendje të mbrojë qytetarët apo të na mbrojë ne kur ecim në rrugë. Sot, ne nuk e dimë nëse do të kthehemi të sigurtë në shtëpitë tona. Prindërit mezi na lejojnë të dalim nga shtëpia. Ne nuk mund të besojmë në një vend ku nuk ka siguri," thotë një protestues libanez.

Dje në mëngjes, forcat e sigurisë qëlluan në ajër dhe përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që po përpiqeshin të sulmonin ndërtesën.

Pak para se të shpërthenin protestat, mijëra libaneze u mblodhën në Sheshin e Dëshmorëve të Bejrutit për varrimin e zyrtarit të lartë të zbulimit. Ushtarët kishin vendosur postblloqe dhe kishin rrethuar zonën nga do të kalonte arkivoli i mbuluar me flamurin libanez.

Zyrtari në fjalë kishte drejtuar hetimet rreth një komploti me bombë që rezultoi në arrestimin e një politikani libanez pro-sirian, ish-ministrit të Informacionit Michel Samaha.

Presidenti i Libanit, Michel Suleiman tha se zbulimi libanez i kryesuar nga gjenerali i vrarë kishte arritur të shkatërronte rrjete spiunazhi që sipas tij përpiqeshin të shkaktonin trazira.

Gjenerali i zbulimit kishte drejtuar gjithashtu një hetim që bënte përgjegjës Sirinë dhe Hezbollahun për vrasjen me kamion-bombë të ish-kryeministrit Rafik Hariri në vitin 2005.
XS
SM
MD
LG