Lidhje

Tiranë: Qendra Europiane komentoi mbi azil-kërkuesit


Qendra Europiane pohoi në Tiranë se Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit perëndimor nuk njohin standardet ndërkombëtare për të drejtën e azilit.

Gjyqtarë të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut deklaruan se njohja më e mirë e këtyre të drejtave europiane e përmirëson trajtimin e situatës së rënduar nga kërkesat e shtuara për azil në Europë, mes të cilëve ka edhe shumë shtetas shqiptarë.

Ata pohuan se Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka përcaktuar standarte të qarta për azilin dhe kjo është kryefjala e diskutimeve europiane.

Prandaj njohja më e mirë e këtyre standarteve përmirëson funksionimin e sistemeve legjislative dhe gjyqësore në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas gjyqtarit përfaqësues të Shqipërisë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, Ledi Bianku, asnjë nen i Konventës Europiane nuk ka parashikime në mënyrë specifike për emigrantët, azilkërkuesit apo refugjatët.

Janë vetëm disa nene që përmendin shtetasit e vendeve të treta si kufizimet e veprimtarisë politike të të huajve, ndalimi i dëbimit kolektiv të të huajve.

“Nga ana tjetër, Konventa shprehet se shtetësia e azil-kërkuesit nuk ka rëndësi, dhe se përgjegjësi do të mbajë çdo shtet palë, duke zbatuar këtu edhe parimin e ekstra-territorialitetit” - tha zoti Bianku.

Për sa i përket mbrojtjes që garanton Karta Themelore e të Drejtave të Njeriut të BE-së, gjyqtari Bianku u shpreh se neni 18 i saj Karte për të drejtën e azilit i referohet Konventës së Gjenevës dhe dhe Traktatit Themelues të Unionit.

Gjyqtarët pohuan se në çështjet e kërkimit të azilit dhe shkeljet e të drejtave njerëzore ligjet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut kanë së paku shtatë nene, që lidhen me të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë, me ndalimin e torturës, të drejtën për një gjykim të drejtë, ndalimin e diskriminimit, ndalimin e dëbimit kolektiv të të huajve.

Gjyqtari përfaqësues i Islandës në GJ.E.D.NJ.-së, Robert Spano, thotë se garancitë për të drejtën e jetës përfshijnë edhe parimin e mos-kthimit të azil-kërkuesit, nëse ai përballet me dënimin me vdekje, persekutime, me zhvendosje të palajmëruara, me mungesa e kujdesit shëndetësor si edhe me rreziqe për jetën.

“Sistemi i Dublinit, i cili po diskutohet këto kohë për shkak të efiçencës së tij në përballimin e fluksit të emigrantëve në Europë, parashikon se shtetet anëtare kanë përgjegjësi për ekzaminimin e kërkesave të azilit të ardhura në këto shtete nga qytetarë të vendeve të treta” - thotë gjyqtari Spano.

Sipas tij, lëvizja nga një shtet anëtar në tjetrin nuk heq përgjegjësinë e shtetit të parë për t’u siguruar se aplikuesi nuk do të përballet me rreziqe.

B.E. e bazon politikën e saj të emigracionit mbi Rregulloren e Dublinit, ndaj pesha e situatës aktuale me azilantët bie kryesisht mbi vendet antare të Bashkimit Europian dhe mbi vendet kufitare në juglindje të B.E-së.

Gjyqtarët pohuan se gjendja aktuale e azil-kërkuesve në Europë kërkon trajtimin e duhur dhe bashkëpunimin me vullnet të mirë nga gjithë vendet e kontinentit.

XS
SM
MD
LG