Lidhje

Mëngjarashët në ditët e sotme

  • Lauren Bowman

Është vlerësuar se vetëm 10 deri në 12 për qind e popullsisë së botës janë njerëz mëngjarashë. Në kultura të ndryshme gjatë viteve, mëngjarashët janë përshkruar si njerëz të këqinj. Por në shoqëritë moderne dhe më tolerante, ata duket se po arrijnë shumë sukses. Një studiues i Universitetit të Londrës madje shkruajti se nga grupi i mëngjarashëve janë një numër më i madh njerëzish të suksesshëm se sa mesatarja e përgjithshme.

John Barker ka qenë mëngjarash për 73 vjet. Dhe ai thotë se shpesh është bezdisje të jesh i tillë.

Ai thotë se të ulesh për të ngrënë, në një tryezë që është përgatitur për një që përdor dorën e djathtë është gjithashtu e bezdisshme.

“Duhet të lëvizësh gotën e ujit këtu dhe gotën e verës atje, gjë që e bëj shpesh...e vetmja gjë që është në rregull është peceta.”

Zoti Barker tani është pensionist, por ai ka patur një karrierë të rëndësishme. Ai ka organizuar fushatën elektorale të ish presidentit Lyndon Johnson dhe ka qënë zëdhënës për presidentin Bill Clinton kur ai ishte guvernator. Por zoti Barker vë në dukje se një raport mjekësor, tani i diskredituar, e bëri atë të vuajë me të vërtetë. Raporti thotë se mëngjarashët nuk jetojnë pas moshës 80 vjeçare.

“Dhe raporti vazhdoi duke thënë se një nga arsyet ishte se njerëzve mëngjarashë nuk u zihet besë, se ata janë të pakujdesshëm, dhe se kanë gjasa të vënë veten në rrezik. Ata janë natyrisht krijues, por, nga ana tjetër, nuk jetojnë aq gjatë. Kjo më mërziti shumë...”

Zoti Barker thotë se ka ndjekur me vëmendje ish-presidentin amerikan George H.W. Bush, i cili është gjithashtu mëngjarash. Kur zoti Bush festoi ditëlindjen e 80 duke u hedhur me parashutë nga një aeroplan, dhe festoi edhe të 90-ën, ai u bind se raporti ishte i pasaktë.

Mëngjarashë të tjerë të famshëm përfshijnë presidentin e tanishëm Barack Obama, Albert Ajnshtajnin dhe Napoleon Bonapartin. Studiuesit thonë se ka gjasa që mëngjarashët të jenë më të vetëdijshëm rreth hapësirës përrreth, mësojnë gjuhë të huaja më shpesh dhe janë më supersticiozë.

Uzo Ihekwoaba është 23 vjeç. Prindërit e tij janë Nigerianë. Ai thotë se të qënurit mëngjarash e bën atë të ndihet i veçantë.

Uzo është krenar që është mëngjarash, por thotë se disa nga shokët e tij të shkollës në Nigeri nuk ishin.

“Më kujtohet kur bisedoja me disa nga shokët e klasës të cilët mbanin mend se kishin qenë mëngjarashë, por mësuesit e fillores i kishin detyruar të përdornin të djathtën.”

Uzo është shumë krijues. Ai ka mbaruar së shkruari një skenar, por shkruan këngë dhe kompozon edhe muzikë.

Uzo ndihet me fat që është në gjendje të shprehet dhe të përqafojë faktin e të qenurit mëngjarash.

“Gjithmonë më ka bërë të ndihem sikur ishte diçka e veçantë për mua.”

Oh dhe kjo është një gjë tjetër që njerëzit thonë për mëngjarashët: se ata ndihen superiorë.

XS
SM
MD
LG