Lidhje

Lei Feni rikthehet në Kinë


Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës hap të hënën sesionin e saj vjetor në Pekin dhe kjo është edhe dita e shpallur nga Maoja si “Dita e Lei Fenit", për nder të një ushtari jetim dhe heroi altruist, i cili vdiq 50 vjet më parë.

Sesioni i tanishëm i Asamblesë Popullore kineze zhvillohet në klimën e thirrjeve të reja të bëra nga qeveria që njerëzit të studiojnë Lei Fenin, të riun modest që u shndrrua nga Maoja në ikonën e sjelljes model, qëllimi i vetëm i të cilit ishte t'i shërbente partisë.

Delegati i Asamblesë, Gjeneral Lejtnant, Gang Zhao, thotë se ai e admiron dashurinë e Lei Fenit për vendin dhe për njerëzit, cilësi që ia kalojnë për nga shkëlqimi gjërave që ai bëri.

"Ne mund të shohim gjëra të mëdha nga ajo që bëri Lei Feni, edhe pse ato ishin akte shumë të vogla. Është si pasqyrimi i diellit në një pikë ujë."

Vitin e kaluar, 27 vjeçari Zhang Liangliang dhe miqtë e tij bënë një film, ku një djalë i zakonshëm përpiqet të bëhet superhero duke imituar Lei Fenin.

"Njerëzit e lindur në vitet 60 apo 70, ndoshta besojnë te Lei Feni. Por ata që kanë lindur në vitet 80 apo 90 dyshojnë se ai ishte në gjendje të bënte të gjitha ato akte vetëmohuese për të cilat thuhet se bëri."

Filmi, "Lei Feng Xia," ose Njeriu Lei Fen, është parë nga miliona njerëz në internet. Zoti Zhang thotë se pjesa e tij e preferuar është kur Lei Feni përpiqet për të pastruar lagjen e tij.


"Ai përdor një spatull për të pastruar fletët e reklamave të ngjitura në tokë. Unë vetë e kam bërë këtë më parë. Është sikur dikush të ngjisë një reklamë në tokë, një tjetër ta heqë atë dhe një i tretë të vendosë diçka tjetër në të njëjtin vend."

Ndërkohë që shoqëria moderne kineze pasurohet, media zyrtare po flet për një rënie të përgjithshme të moralit për shkak të dukurive të tilla si korrupsioni zyrtar dhe apatia publike.

Delegati i provincës Guangxi, Wang Aiqing thotë se kjo është arsyeja se pse Kina ende ka nevojë për frymën e vetmohimit të Lei Fenit.

"Njerëzit sot rendin vetëm pas suksesit dhe famës, pas interesit të tyre dhe parasë, që do të thotë se ata nuk kanë një bazë të vërtetë morale. Ata kanë nevojë t’i kthehen një fillimi të ri".

Lei Feni vdiq në vitin 1962, në moshën 21 vjeçare. Kohët e fundit u botua një vëllim i plotë i shkrimeve kushtuar atij, si pjesë e më shumë se 100 botimeve të reja me temën e Lei Fenit të planifikuara për këtë vit dhe që përfshijnë poezi, fjalime, letra dhe analiza të jetës së tij.

XS
SM
MD
LG