Lidhje

Përmirësohet gjendja shëndetësore e pretendentit të fronit Leka Zogu I


Përmirësohet gjendja shëndetësore e pretendentit të fronit Leka Zogu I
Përmirësohet gjendja shëndetësore e pretendentit të fronit Leka Zogu I

Në Shqipëri mjekët thanë sot se gjendja shëndetësore e pretendentit të fronit Leka Zogu I, është përmirësuar.

Mjekët shpjeguan se ai vazhdon të mbahet në reanimacion për shkak se situata shëndetësore vazhdon të mbetet e rënduar. Në moshën 72 vjecare Leka Zogu I, vuan nga sëmundje sistemike, pra që kanë prekur funksionet e disa organeve. Ai u shtrua dy ditë më parë në spital dhe po mbahet nën vëzhgimin e rrepte te mjekëve.

Sot ai u vizitua edhe nga kryeministri Sali Berisha si dhe presidenti Bamir Topi, të cilët shpjeguan se kishin komunikuar me të e shprehën shpresën se do të rimarrë veten.

Njoftimi u bë publik mbrëmë, ndonëse ai ndodhet në reanimacionin e spitalit neurokirurgjik që prej pasdites të së martës.

I tërhequr prej kohësh nga jeta publike për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, Leka Zogu I, u dërgua të martën pasdite me urgjencë në një nga spitalet shtetërore të kryeqytetit, pasi kaloi një gjendje të fibrilacionit atrial, një crregullim i funksionimit të zemrës. Njoftimi për rëndimin e gjendjes së tij shëndetësore u dha vetëm mbrëmë, kur u bë publik nga mediat.

Përhapja e lajmit detyroi familjen mbretërore të nxirrte një shpjegim zyrtar e të saktësonte, duke ju referuar doktorit të njohur Mentor Petrela, shefit të neurokirugjisë ku ai gjendet i shtruar në reanimacion, se pretendenti i fronit “vuan nga sëmundje multisistematike, pra sëmundje të zemrës dhe të mushkërive”.

Leka Zogu I nuk është tërhequr vetëm nga jeta publike por prej vitesh edhe nga ajo politike aktive. Po ashtu edhe i biri i tij, Princi Leka i cili ka zëvendësuar të atin në aktivitet të ndryshme publike, nuk është dalluar për një angazhim të dukshëm politik, ndonëse forca politike, Partia e Legalitetit e cila synon rikthimin e monarkisë, është përfaqësuar edhe në koalicionin qeveritar, me postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

Pretendenti i Fronit bëri një përpjekje të parë për të ringjallur dhe ushqyer idenë e monarkisë në fillim të viteve ’90. Pas një jete të gjatë në mërgim, i larguar nga vendi që kur kishte vetëm dy ditë jetë, në prill të 1939, ai shkeli për herë të parë në Tiranë në nëntor të 1993, me një vizitë të papritur kur u ul në aeroportin e Rinasit me një avion privat.

Ai u rikthye përfundimisht, së bashku me familjen për të jetuar në Shqipëri pas 5 vjetësh në qershor të vitit 2002.

XS
SM
MD
LG