Lidhje

“Les Miserables”, suksesi i fundit i Anne Hathaway


Për aktoren Anne Hathaway 2012-a ka qenë një vit i rëndësishëm nga ana profesionale dhe personale. Ajo u martua këtë vit dhe përveç arritjeve të tjera ditën e Krishtlindjeve del filmi i saj i fundit, muzikali “Les Miserables”, i bazuar tek vepra e famshme e Viktor Hygosë, “Të mjerët”.

Edhe Catwoman ka pasiguri për imazhin e saj. Është e vështirë ta besosh kur bëhet fjalë për Anne Hathaway, e cila e zotëroi paserelën në premierën e muzikalit “Les Miserables”, në New York. Aktorja që kohët e fundit veshi kostumin e ngjitur për trup të maces në Catwoman dhe po interpreton Fantinën në përshtatjen kinematografike të veprës së njohur të Viktor Hygosë “Të mjerët”, foli hapur për pasiguritë e saj të herëpashershme.

“Mendoj se çdo grua që njoh ndjen pasiguri për trupin e saj, ndjehet nervoze. Unë do të doja ta kapërceja këtë frikë, por nuk kam mundur ende. Unë thjesht doja të flisja hapur. U lodha duke thënë gjithë kohën se ndjehesha mirë edhe kur kjo nuk ishte e vërtetë. Të gjithë kemi ditë të mira dhe të këqija”.

Për Hathaway, ky vit ka qenë i rëndësishëm. Ajo u martua në shtator, festoi 30 vjetorin në nëntor dhe interpretoi në dy filma të suksesshëm “The Dark Knight Rises” dhe “Les Miserables” në vitin 2012.

“Është surreale dhe e mrekullueshme dhe gjithë këtë kohë kam pasur ndjesinë që ose po jetoj një ëndërr, ose jam çmendur. Por nëse ky është realitet, atëherë është sikur të jem në parajsë”.

Filmi ndjek personazhin Zhan Valzhan të interpretuar nga Hugh Jackman ndërsa ai ndiqet gjatë gjithë kohës nga Zhaver i interpretuar nga Russell Crowe, pasi ka shkelur dënimin me kusht.

Fantine që interpretohet nga Hathaway është një nënë plot vuajtje, e detyruar të punojë si prostitutë. Valzhan pranon të kujdeset për Kozetën, vajzën e Fantinës, interpretuar nga Amanda Seyfried, dhe jetët e tyre transformohen për gjithmonë.

“Mendoj se Zhan Valzhan u jep një shtysë të gjithëve dhe ky personazh kështu është krijuar. Viktor Hygo ishte vërtet një mazokist për aktorët. Unë dhashë gjithçka për këtë rol dhe ia vlejti. Është një muzikal i mrekullueshëm dhe një histori magjepsëse”.

Crowe thotë se përvoja e interpretimit të policit Zhaver do të mbetet e ngulitur në mendjen e tij për gjithmonë.

“Është me të vërtetë një nga përvojat më mbresëlënëse që kam pasur nëpër sheshe xhirimi. Mendoj se që tani e tutje sa herë të marr një rol të ri, një pjesë e imja do të shpresojë fshehtas që të bëhet fjalë për ‘Të Mjerët’”.

Regjisori i Les Miserables, Të Mjerët është Tom Hooper. Në film interpretojnë gjithashtu edhe Sacha Baron Cohen, Helena Bonham Carter dhe Eddie Redmayne. Filmi fillon të shfaqet në Shtetet e Bashkuara, ditën e Krishtlindjeve.

XS
SM
MD
LG