Lidhje

Terapi eksperimentale kundër leuçemisë


Mjekët në Britani kanë arritur të kurojnë leuçeminë në një vajzë të vogël që fillimisht u mendua se do të vdiste nga kanceri agresiv. Rezultati i trajtimit novator përmes imuno-terapisë është një tjetër sinjal shpresë-dhënës për luftimin e kancerit përmes ndërhyrjeve gjenetike.

Mjekët kishin përdorur të gjitha mjekimet dhe kurat ekzistuese tek Layla një-vjeçare. E vetmja shpresë për t’i shpëtuar jetën nga leuçemia ishte injektimi me qeliza të modifikuara gjenetikisht – një trajtim eksperimental që bazohet tek imuno-terapia.

Vetëm dy muaj më pas kanceri ishte zhdukur. Layla është kthyer në shtëpi. Nëna e saj thotë se e përqafuan idenë e mjekimit eksperimental pa hezitim:

“Nuk ishte vendim i vështirë për ne, ishte i vetmi vendim. Nuk kishim rrugëdalje tjetër. Nuk donin t’ia dinim nëse mund të kishte efekte anësore, donim të siguroheshim që i kishim provuar të gjitha alternativat”.

Trajtimi u përgatit nga shkencëtarët e spitalit Great Ormond në bashkëpunim me firmën franceze Cellectics. Përmes teknologjisë TALEN, e cila vepron si një gërshërë molekulare, gjene të një individi të shëndetshëm modifikohen për të krijuar qelizat T, të cilat janë rezistente ndaj ilaçeve kundër leuçemisë dhe luftojnë edhe vetë leuçeminë.

Është hera e parë që qeliza nga një individ i shëndetshëm përdoren në një terapi kundër leuçemisë tek një pacient. Kjo tentativë eksperimentale mund të sjellë një kurë premtuese për të luftuar kancerin me terapi standarte.

Disa shkencëtarë e kanë vënë në pikëpyetje këtë terapi, duke ngritur shqetësimin se organizmi i pacientit mund të mos i pranojë qelizat e një individi tjetër.

Por kompania franceze, e cila po bashkëpunon me gjigandin amerikan të farmaceutikës Pfizer, thotë se përdorimi i qelizave nga një individ i shëndetshëm, të modifikuara për të luftuar qelizat kanceroze, është metodë më e shpejtë dhe me kosto më të ulët se sa modifikimi i qelizave specifike nga çdo pacient i veçantë. Kompania do të fillojë prova të plota klinike vitin e ardhshëm.

Rezultatet e kurës eksperimentale të përdorur për Laylan do të prezantohen javën e ardhshme në konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane të Hematologjisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG