Lidhje

Lëvizja kundër vaksinave në SHBA


Aktivistët kundër vaksinimit të fëmijëve u mblodhën në një protestë në Uashington.

Gabriele Cashman udhëtoi për pesë orë me makinë për të mbështetur kauzën kundër vaksinave. Ajo dhe bashkëshorti i saj nuk duan që fëmijëve të tyre t’u imponohet vaksinimi. “Duhet të jetë vendimi ynë si prindër nëse dëshirojmë apo jo të vaksinojmë fëmijët”, thotë ajo.

Lëvizja kundër vaksinave ka fituar aq shumë terren sa që doktorët si Peter Hotez janë të alarmuar. Ai punon për vaksinat në Kolegjin Baylor të Mjekësisë, në Houston, të shtetit Teksas. “Kemi tashmë në shtetin e Teksasit, 50 mijë fëmijë prindërit e të cilëve kanë vendosur të mos i vaksinojnë”, thotë ai.

Doktor Hotez thotë se këta fëmijë jetojnë përgjithësisht në komunitet me të tjerë. Ai është i shqetësuar se vetëm një epidemi fruthi mund t’i bindë këta prindër se vaksinat shpëtojnë jetë dhe parandalojnë paaftësitë fizike.

Aktivistët nuk i besojnë shkencës. Madje në të kundërt, ata besojnë se vaksinat mund të shkaktojnë çdo gjë, që nga autizmi dhe deri në alergji të rënda. Shumë prej tyre thonë se njohin fëmijë që janë dëmtuar nga vaksinat.

Por, doktor Anthony Fauci, i Institutit Kombëtar të Shëndetit, thotë se megjithëse fëmijët mund të kenë reaksione, ato janë aq të rralla sa nuk është e mundur të maten. Doktor Fauci drejton Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Ngjitëse, si dhe mbikqyr zhvillimin e vaksinave.

Efektet dytësore që mund të kenë fëmijët janë zakonisht të vogla, thotë Dr. Linda Fu, pediatre në Qendrën Kombëtare Mjekësore të Fëmijëve, në Uashington. “Efektet më të rëndomta të vaksinave janë dhimbja në vendin e injeksionit dhe temperaturë për rreth 24 – 48 orë”, thotë ajo.

Megjithatë, aktivistët anti-vaksinë, si Irine Pi që ndihmoi në organizimin e protestës në Uashington, janë të bindur se vaksinat përmbajnë edhe përbërës të dëmshëm. Përbërësi konservues thimerisal u hoq nga vaksinat në SHBA në vitin 2003, për të qetësuar shqetësimin e prindërve se ai shkakton autizëm. Studime të shumta në SHBA dhe gjetiu tregojnë se ky element nuk ka asnjë efekt negativ tek fëmijët. Por, zonja Pi është e bindur se përbërës të dëmshëm u shtohen vaksinave që marrin rregullisht fëmijët.

Tashmë po shtohet alumini. Përpos kësaj, janë edhe përbërësit si formaldehidi, polisorbati, sasi të konsiderueshme qelizash nga fetuse të abortuara, qeliza të bagëtive, derrave, deleve, majmunëve dhe qenërve. Këto qeliza nuk kanë vend të injektohen në trupin e njeriut”, thotë zonja Pi.

Sërish, shkenca flet ndryshe. Doktoresha Fu është e specializuar për imunizimin. “Vaksinat që marrin fëmijët sot janë më të pastra, me të sigurta, dhe më të efektshme”, i tha ajo Zërit të Amerikës.

...made aq të efektshme sa që të rinjtë nuk kanë më memorie të sëmundjeve që ato parandalojnë, thotë doktoreshë Flavia Bustreo, e Organizatës Botërore të Shëndetit.

Nëse bisedoni tani me një nënë të re ose një baba të ri në Itali, vendi nga vij unë, ata nuk e dinë se ç’është difteria. Nuk e kanë parë kurrë. Nuk e dinë se mund të humbasësh fëmijën prej difterisë”, thotë ajo.

Organizata Botërore e Shëndetit ka një faqe në internet për t’i ndihmuar prindërit të gjejnë informacion të besueshëm për sigurinë e vaksinave. Edhe agjensia CDC e qeverisë amerikane ofron të njëjtën mundësi informimi.

Doktor Hotez kërkon që qeveria amerikane të zhvillojë një fushatë për t’i bindur prindërit të vaksinojnë fëmijët, ndërsa doktor Fauci nuk është dakort.

Mendoj se do të ketë gjithnjë një përqindje njerëzish, të cilët pavarësisht se çfarë provash u ofron, nuk do të binden. Mendoj se është më mirë të respektohet qëndrimi i njerëzve që janë kundër vaksinave, të mos denigrohen dhe të mos kritikohen, por thjesht t’u shpjegohet me prova solide se cilat janë përfitimet dhe rreziqet e vaksinimit për një shëndet qartësisht më të mirë të fëmijëve të tyre”, thotë doktor Fauci.

Doktor Hotez po shkruan tani libra për prindërit me temën e vaksinave. Ai thotë se shkencëtarët duhet të shkëputen nga laboratorët e tyre dhe t’u flasin prindërve për vaksinat.

Përndryshe, thotë ai, fëmijët do të vuajnë dhe do të vdesin nga sëmundje që mund të parandalohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG