Lidhje

Kujtohet Lëvizja studentore e ‘90


Aktivitete në Tiranë. Rama “ende punë për ëndrrën europiane”. Koncert i PD, Basha: “Kjo datë, pikëtakimi me të ardhmen”

Në Shqipëri, sot është kujtuar 8 dhjetori i 1990, dita që shënoi nisjen e lëvizjes studentore dhe fundin e regjimit komunist. Në Tiranë u zhvilluan aktivitete të ndryshme. I ftuar në një takim të lëvizjes së studentëve të 90-ës kryeministri Edi Rama tha se ka ende shumë për të bërë, që të gjithë së bashku të jetësojnë endrrën europiane të studetve. Ndërsa kryetari i opozitës Lulzim Basha, në një organizim festiv të partisë së tij tha se kjo datë nuk është thjesht histori,por edhe një pikëtakimi me të ardhmen

23 vjet më parë, në qytetin studenti, revolta e të rinjve i dha jetë një lëvizjeje e cila zgjoi një popull të shtypur për më shumë se 40 vjet nga diktatura komuniste. Cdo vit, kjo ngjarje, që solli një përmbysje historike, kujtohet si një moment më tepër se i vecantë. I ftuar në një takim të Lëvizjes së studentëve të viteve ’90, krahas shumë protagonistëve të tjerë të atyre ditëve kryeministri Edi Rama tha se pavarësisht asaj se cka është bërë në këto 23 vite: “Lëvizja Studentore e Dhjetorit ‘90-të qëndron, dhe besoj se do të qëndrojë për një kohë ende të gjatë, si një dinamikë unikale për shoqërinë shqiptare të cilës ajo lëvizje, i fali një forcë të posaçme, si mjet ndryshimi dhe transformimi. Forcën, që të bën të kuptosh se mundesh, pikërisht, në momentin kur mendon se të mundën. Forcën që të bën të besosh në atë që nuk ke parë dhe të ndjehesh pjesë e një hapësire, që i kalon kufijtë e imponuar me forcë”, tha zoti Rama.

Në një takim festiv, i konceptuar nga partia demokratike më shumë si një koncert rinor me këngëtarët më me emër të momentit, edhe kryetari opozitës Lulzim Basha do vinte theksin te kthesa e madhe që solli lëvizja studentore: “Në krahun e studentëve liberatorë po lindte bashkë me ta dhe intelektualët që iu bashkuan, epoka e re e pluralizmit politik, e lirive dhe të drejtave njerëzore, e Shqipërisë europiane, e kombit të njerëzve të lirë”.

Për zotin Basha 8 dhjetori nuk është thjesht një ditë në historinë e vendit:“Dita e rinisë nuk është thjesht një histori, nuk është thjesht një e kaluar. Është para së gjithash aktualitet dhe ardhmëri, është sërish ëndërr në gjoksin e çdo të riu e të reje shqiptare. Duke festuar 8 dhjetorin, rinia shqiptare krenohet me veprën e brezit të mëparshëm dhe njëkohësisht takohet me të ardhmen”.

Shpesh të kujtuarit e atyre ditëve të 23 viteve më parë, shërbejnë edhe si një moment analize apo reflektimi. “Ne mund t’i kërkojmë llogari vetes, për sa u bëmë apo nuk u bëmë bashkë për jetësimin e asaj ëndrre pasi të gjithë bashkë e kishim thirrur me zë të lartë. Nëse e shohim kështu, është e sigurt që kemi akoma shumë beteja për të bërë dhe për të fituar bashkërisht. Jo domosdoshmërish duke qenë bashkë në të njëjtën korsi, por duke qenë bashkë në të njëjtën rrugë me shumë korsi”, u shpreh zoti Rama.

Dhe në fakt, ndërsa 23 vite më parë sheshi i qytetit studenti mbushej me thirrjet për një Shqipëri si e gjithë Europa, sot ende vendi përpiqet me vështirësi për të qenë pjesë e Europës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG