Lidhje

Lëvizja “Të zaptojmë Londrën” ende duke fituar mbështetje

  • Dominic Laurie

Lëvizja “Të zaptojmë Londrën” ende duke fituar mbështetje

Lëvizja “Të zaptojmë Londrën” ende duke fituar mbështetje

Në Londër dimri ka mbërritur plotësisht. Turistët kanë veshur palltot. Është mesditë dhe dhjetra tendat me ngjyra të protestuesve të lëvizjes “Të zaptojmë Londrën” janë të mbyllura krejtësisht.

Midis rreshtit të parë të tendave dhe shkallëve të katedrales, ndodhet një protestues me emrin Malcolm. Ai është anëtar i një grupi protestuesish i quajtur Anonimët e Britanisë së Madhe dhe ka qenë këtu qysh në fillim.

“Ne mendojmë se i kemi arritur dhe kaluar kriteret tona dhe mendojmë të vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Kemi anëtarë të Anonimëve të Britanisë në tendën e ndihmës së shpejtë, atë të ushqimeve, duke bërë pastrimet, në tendën e shërbimeve sociale dhe duke punuar si personel sigurie natën. Ne kemi vënë në dispozicion kompjutera portativë dhe çdo gjë tjetër që nevojitet për të siguruar suksesin e lëvizjes Të zaptojmë Londrën.”

Kur mbështetja për protestën filloi të rritej në muajt tetor dhe nëntor, u krijua nevoja për të gjetur vendqëndrime të tjera në zonën financiare. Njëra prej tyre është një shesh përballë zyrës për Birtaninë e Madhe të kompanisë mediatike financiare Bloomberg. Një tjetër vendqëndrim i protestuesve është një ndërtesë e zbrazët që i përkiste bankës zvicerane UBS.

“Shumë prej njerëzve të fillimit të lëvizjes këtu në Londër dhe protestues prej vendeve të tjera kanë tendencë të mblidhen këtu. Ne këtu nuk kemi as ujë ndërsa ata kanë energji elektrike, kanë tapetë, kanë dritë, rrinë brenda një ndërtese dhe në ngrohtësi. Ne na mungojnë gjërat e kësaj natyre por ne jemi britanikë dhe ne jemi në vijën e parë të lëvizjes sonë.”

Pyetjes nëse ai mendon se protestuesit amerikanë kanë një qëndrim të butë, Malcolm iu përgjigj:

“Unë them se po. Unë mendoj se edhe disa britanikë po marrin një qëndrim të butë. Unë mendoj se është dembelizëm.”

Por rivaliteti midis protesuesve është kryesisht dashamirës. Ata të gjithë ndajnë një objektiv të përbashkët: dobësimin e ndikimit të industrisë financiare mbi shoqërinë.

Dhe me qëllime të përbashkëta vjen bashkëpunimi. Në një çadër të madhe të bardhë në oborrin e katedrales së Shën Palit, rreth 20 protestues po zhvillojnë takimin ditor të kampit.

Disa protestues janë sjellë disi në mënyrë agresive në çadrën e pushimit të çajit gjatë natës dhe pjesëmarrësit në mbledhje po mundohen të gjejnë një mendim të përbashkët për të zgjidhur problemin. Ata shfaqin mbështetjen e tyre për folësit jo me duartrokitje por duke lëvizur gishtat e duarve në ajër. Protestuesit kanë gjetur kështu jo vetëm mënyra për të bashkëpunuar por edhe mënyra të reja për të komunikuar dhe për të shfaqur mendimin e tyre.

Më pak se dy kilometra larg katedrales, në një shesh përballë zyrës së kompanisë mediatike financiare Bloomberg, Shaun Boyle po bisedon me shokë të tij pranë çadrës së vet. Ai punonte në zyrën e shërbimeve financiare të Bashkisë së Londrës më parë, por ai thotë se preferencat e tij kanë ndryshuar rrënjësisht.

Tenda për të cilën ai është përgjegjës nuk është për të fjetur. Ajo është një galeri arti. Javën e shkuar aty u shfaq një vepër e Banskit, një nga artistët e rrugëve më të famshëm në botë, i cili i kushtoi një krijim të veçantë lëvizjes Të zaptojmë Londrën.

Zoti Shaun thotë se protestat e Londrës janë tani më të rëndësishme se kurrë.

“Ne kemi një mundësi të mirë këtu pasi jemi në një epiqendër financiare. Për shkak se lëvizja në Nju Jork është nën kontroll, unë mendoj se ne na takon të bëjmë gjithçka që mundemi për të patur sukses. Për më tepër, meqënëse ne jemi përballë zyrës së kompanisë Bloomberg dhe zoti Bloomberg është kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, unë dua të bëj thirrje që të mbështetet Të zaptojmë Uoll Stritin dhe të mos mbështetet Bloomberg.”

Javën e ardhshme, Bashkia e Londrës do të hapë një çështje gjyqësore, në përpjekje për të hequr tendat e protestuesve përfundimisht.

XS
SM
MD
LG