Lidhje

Lëvizja Vetëvendosje proteston kundër marrëveshjeve me Serbinë


Lëvizja Vetëvendosje proteston kundër marrëveshjeve me Serbinë
Lëvizja Vetëvendosje proteston kundër marrëveshjeve me Serbinë

Disa qindra veta morën pjesë në protestën e organizuar nga lëvizja Vetëvendosje, në kundërshtim të marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale. Protesta, përfundoi e qetë, ndonëse pjesëtarët e Vetëvendosjes zhvendosën parmakët metalik të vendosur nga policia e Kosovës para ndërtesës së qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës. Me parullat “Kosova Republikë” dhe ato kundër qeverisë së Kosovës, protestuesit e lëvizjes Vetëvendosje thanë se për katër orë mbajtën të pezulluar “punën e qeverisë që po pezullon shtetësinë e Kosovës”.Vetëvendosje kundërshton marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale e cila sipas saj, dëmton rëndë shtetësinë e Kosovës.

Të premten, delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë kanë arritur marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale. Sipas marrëveshjes, Kosova do të përfaqësohet me një shënim në të cilin thuhet se "ky emër nuk paragjykon statusin dhe është në pajtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi deklaratën pavarësisë së Kosovës”.

Kjo marrëveshje sipas kryetari të lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka bërë që Republika të jetë vetëm për përdorim të brendshëm.

“Ajo po lejohet vetëm brenda Kosovës, për një Republikë që nuk guxojmë ta shfaqim për çdo ditë, që nuk guxojmë t’ia shfaqim të tjerëve. Jemi bërë Republikë vet-më-veti. Republikën mundemi t’ia tregojmë njëri tjetrit por askujt tjetër. Kjo është e padrejtë, kjo është shumë e dëmshme dhe këtë asnjëherë nuk do ta pranojmë”, tha zoti Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur ndërkaq 15 mijë nënshkrime të qytetarëve në përpjekje për të siguruar një debat parlamentar për marrëveshjen. Por, kjo kërkesë është refuzuar nga Kryesia e Parlamentit, meqë, siç u tha, seanca e jashtëzakonshme mund të thirret nga Presidentja, kryeministri ose dyzet deputetë. Vetëvendosje është vënë në përpjekje për të siguruar 40 nënshkrimet e deputetëve, por përfaqësuesit e partive tjera opozitare ndonëse kritike ndaj marrëveshjes kanë refuzuar të nënshkruajnë.

Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi tha se nuk i takon Parlamentit të debatojë nëse marrëveshja është apo jo në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Ne e kemi një institucion të pavarur i cili e ka të drejtën të interpretojë e fundit vendimet apo ligjet që merren në kundërshtim me Kushtetutën dhe kjo është Gjykata Kushtetuese”, tha zoti Krasniqi.

Marrëveshja e cila nxiti reagime të ashpra të opozitës, nga qeveria dhe diplomatët perëndimorë cilësohet si zgjidhja më e mirë e mundshme e cila i siguron Kosovës përfaqësim të barabartë dhe përshpejtim të rrugës evropiane. Sipas tyre kjo marrëveshje shmang izolimin e Kosovës dhe ndihmon forcimin e shtetësisë së saj.

Marrëveshja ishte cilësuar edhe si një nga hapat kryesor për t’i mundësuar Serbisë që të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG