Lidhje

Lëvizja Zaptimi i Uoll Stritit proteston kundër korporatave

  • Peter Fedynski

Lëvizja “Zaptimi i Uoll Stritit” po i zhvendos akuzat për korrupsionin e korporatave tek vetë korporatat. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Peter Fedynski njofton se aktivistët e lëvizjes i akuzojnë korporatat se përdorin një grup të posacëm lobizmi për të korruptuar ligjvënësit amerikanë.

Pfizer, kompania më e madhe farmaceutike në botë, është vënë në shënjestër të aktivistëve. Protestuesit u mblodhën para selisë kryesore të Pfizer-it në New York, para disa ditësh duke akuzuar se ka raste që u vë çmimin 50 dollarë disa artikujve mjekësore që e kanë koston e prodhimit 5 centë.

Steve Auerbach është pediatër.

“Amerikanët po paguajnë dy deri katërfishin e çmimit për të njëjtin ilaç nga e njëjta kompani si edhe në vende të tjera të industrializuara. Kanadaja paguan gjysmën e shumës që paguajmë ne; Zelanda e Re paguan çerekun e kësaj shume”.

Një protestues mban një valixhe plot me para të rreme për të shprehur qëndrimin e protestuesve, sipas të cilëve korporatat e mëdha i blejnë ligjvënësit për të fituar avantazh politik. Protestuesit u përqendruan tek Këshilli Amerikan për Shkëmbim Legjislativ.

Aktivisti Gabriel Johnson.

“Eshtë një organizatë e krijuar nga korporatat e mëdha për t’i bindur ligjvënësit të votojnë sic duan ata për projekt-ligjet”.

Faqja e internetit e këshillit thotë se ky organizëm është një grup lobist që punon për tregje të lira dhe rol të kufizuar të qeverisë.

Rreth 200 demonstrues të lëvizjes Zaptimi protestuan gjithashtu kundër Bankës së Amerikës, me akuzat se ky institucion financiar përfitoi duke u dhënë me vetëdije kredi për të blerë shtëpi njerëzve që nuk i paguajnë dot ato.

Anthony Robledo është një aktivist me lëvizjen.

“Pastaj ia marrin shtëpitë. Kështu ata u kanë shitur shumë njerëzve ëndrrën amerikane. Ata janë korporatë e fuqishme dhe kanë shumë lobistë”.

Protestuesit e lëvizjes Zaptimi i Uoll Stritit kanë vënë në shënjestër edhe korporata të tjera në qytete të tjera.

XS
SM
MD
LG