Lidhje

Lëvizjes separatiste në shtetet amerikane


Në disa shtete amerikane përçarjet e thella politike mes republikanëve dhe demokratëve përbëjnë edhe një përçarje gjeografike në të cilën pushteti politik kontrollohet nga liberalët progresivë në zonat urbane me popullsi të madhe. Disa grupe konservatore në zona rurale janë të lodhur nga statusi i tyre i pafuqishëm në pakicë dhe duan të shkëputen, jo nga Amerika, por nga shteti amerikan, ku ato banojnë.

Nisma e Merilandit Perëndimor është më e fundit që bashkohet me grupe në Kolorado, Miçigan dhe Kaliforni në përpjekje për t’u shkëputur nga shtetet e tyre për të krijuar shtete të reja ose për t’u bashkuar me një shtet fqinj që pasqyron më mirë pikpamjet e tyre politike.

Scott Strzelczyk, një prej udhëheqësve të kësaj nisme thotë se konservatorët në zonat rurale perëndimore të shteti të tij kundërshtojnë me ngulm taksat e reja, rregullat e mjedisit dhe masat për kontrollin e armëve, që po zbatohen ndaj tyre nga shumica liberale në qytetet lindore, të cilat kontrollojnë procesin politik.

“Ne mendojmë se popullata nuk po përfaqësohet në Kongres dhe ne mund të kemi një qeveri, që na përfaqëson më mirë nëse formojmë shtetin tonë”.

Grupi separatist në Koloradon veriore ka një listë të ngjashme ankesash me thuajse të njëjtën ndarjes mes zonave urbane dhe atyre rurale. Aktivisti konservator dhe pronar i një ferme, Bob Beauprez thotë se në politikat e sotme duket se nuk ka vend për kompromis dhe ndoshta ndarja dhe krijimi i një shteti të ri është e vetmja mënyrë për të siguruar që pakicat kanë zë politik.

“Nëse do të vazhdojmë të kemi këto beteja ideologjike, që nuk përfundojnë në një drejtim pozitiv dhe në një qeverisje të mirë, por vetëm në një qeverisje ndryshe, atëhere ndoshta më mirë është që të qeverisemi veças. Liberalët të adminisdtrojnë shtetet e tyre dhe konservatorët të administrojnë të tyret.”

Edhe nëse këto nisma në fund të fundit dështojnë, zoti Beauprez thotë se ato po i japin energji lëvizjes konservatore në vend. Në Kolorado, votuesit larguan nga pozitat e tyre dy ligjvënës demokratë të shtetit për arsye të mbështetjes për ligje më të rrepta të armëmbajtjes.

Kushtetuta amerikane lejon krijimin e shteteve të reja, por kërkohet miratimi si i legjislaturës shtetrore edhe Kongresit amerikan. Kjo ka ndodhur në të kaluarën, por është diçka e rallë. Gjatë Luftës Civile, Virxhinia Perëndimore u nda nga shteti i Virxhinias.

Që prej vitit 1959 kur Havai dhe Alaska u bënë respektivisht shteti i 49-të dhe i 50-ti, Shtetet e Bashkuara nuk kanë shtuar ndonjë shtet të ri. Por zoti Strzelczyk thotë se mund të ketë ardhur koha që harta e Shteteve të Bashkaura të ndryshojë ndjeshëm për të krijuar qindra shtete më të vegjël.

“Në këtë mënyrë ne do të kishim zgjedhje dhe e gjithë kjo popullsi e shumëllojshme do të kishte mënyra të shumta për të jetuar në harmoni së bashku pa luftuar kundër njeri tjetrit. Dhe kjo është pikërisht ajo që dua të arrij në fund të fundit. Unë dua që qeveria të mos më përzjehet në jetën time personale”.

Shumë ekspertë thonë se nuk ka të ngjarë që Kongresi të miratojë krijimin e shteteve të reja, veçanërisht nëse një gjë e tillë do të ndryshonte balancën e pushtetit. Michael Trinklein ((TRINK-line)) është autor i librin ‘Shtetet e Humbura’, ku flet rreth lëvizjeve në të kaluarën për krijimin e shteteve të reja në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se lëvizjet separatiste në shtetet konservatore duhet të mësojnë nga historia dhe të krijojnë partneritete me lëvizje shtetesh në territore të mbizotëruara nga liberalët si në Porto Riko. Për shembull, Alaska, që në vitet 50-të konsiderohej bazë e fuqishme liberale, u bashkua me Hawaiin në atë kohë konservator dhe që të dy këto shtete fituan statusin pa ndryshuar balancën e pushtetit në rang kombëtar.

“As Alaska dhe as Hawaii nuk do të ishin bërë shtete të Amerikës nëse nuk do ta kishin bërë këtë përpjekje së bashku. Me pak fjalë, për të arritur diçka duhet të kesh një partner dhe kjo ka qënë e vërtetë në politikën amerikane për një kohë të gjatë”.

Megjithatë ai shton se historia ka treguar se shumica e përpjekjeve për ndarjen e shteteve ka dështuar. Por udhëheqësi i Nismës së Merilandit Perëndimor, Scott Strzelczyk thotë se ëshë në dijeni të faktit se krijimi i shteteve të reja është diçka e vështirë, madje disa thonë se është e pamundur, por është e vetmja alternativë, që u ka mbetur konservatorëve të pakënaqur dhe të izoluar në zonat rurale, si ai vetë.
XS
SM
MD
LG