Lidhje

Xhihadistët në Liban


Xhihadistët që bëjnë pjesë tek al-Qaida i kanë hedhur sytë nga Libani dhe janë duke formuar aleanca me grupe radikale suni dhe janë duke futur në radhët e tyre luftëtarë, në përpjekje për ta përdorur Libanin si bazë për xhihadin botëror. Burime të të ushtrisë libaneze i bënë këto komente për korrespondenten e Zërit të Amerikës në Beirut Jamie Dettmer.

Rreziku që al-Kaida është duke ngritur një bazë në Liban, prej nga të kryejë xhihadin global, është duke u shtuar. Kjo ka shkaktuar shqetësim tek komuniteti ndërkombëtar. Diplomatët druhen se grupi militant do të ushqejë sektarizimin destabilizues, që tashmë ka prekur Libanin e përçarë për shkak të luftës civile në Sirinë fqinjë.

Në Liban ka disa zona të thella, prej nga grupet xhihadiste mund të veprojnë lirshëm. Ato janë fshatrat përreth qytetit verior të Tripolit dhe dhjetra kampe në mbarë vendin, ku ka më tepër se 400 mijë refugjatë palestinezë.

Gjenerali libanez në pension, Hisham Jaber, i cili tani është këshilltar në ushtri, thotë se xhihadistët janë duke u rritur në numër në Liban dhe mes tyre ka edhe luftëtarë të grupit Jabhat al-Nusra, pjesë e al-Qaidas.

“Ne kemi shumë celula jo-aktive, si Fatah al-Islam, Jund al-Sham, al-Nusra e të tjerë si këta. Ato ndodhen në kampet palestineze, sidomos në Ain al Hilweh, pranë Saidas. Askush nuk e di se kur do të zgjohen ato. Janë me mijëra luftëtarë, xhihadistë ekstremistë”.

Një tregues për ato që mund të ngjasin në Liban apo se kur do të gjallërohen celulat, erdhi kohët e fundit. Ka fakte se xhihadistët e huaj ishin përfshirë në luftime në Sidon, apo siç njihet ndryshe, Saida, kur forcat e një predikuesi suni, Sheikh Ahmad al-Assir-it, qëlluan drejt një pike kontrolli të ushtrisë, duke u bërë shkas për tri ditë përleshje që shkaktuan 46 të vrarë, përfshirë 18 ushtarë. Politikani Osama Saad, Kryetar i Frontit Popullor Naserist, i tha Zërit të Amerikës se xhihadistët e huaj iu bashkuan luftimeve në solidaritet me luftëtarët e al-Assirit.

“Disa grupe të tjera u përpoqën t’u bashkohen luftëtarëve kundër ushtrisë libaneze, me qëllim që të ngrinin moralin e grupit. Ata e kishin vendosur luftëtarët e tyre të armatosur në disa lagje të Saidës.”

Sipas burimeve të ushtrisë, mes të vrarëve ishin edhe xhihadistë nga Siria dhe Jemeni. Në Liban ka patur një prani xhihadiste dhe sidomos në kampet e refugjatëve palestinezë, që prej dy dekadash. Pas ndëryrjes amerikane në Irak, në Liban pati një rritje të shpejtë të grupeve xhihadiste salafi. Me mbështetjen e zbulimit ushtarak sirian, qindra vullnetarë nga kampet ju bashkuan kryengritësve irakianë, duke fituar eksperincë në luftime dhe duke krijuar lidhje me udhëheqësit e al Kaidës.

Këto lidhje kanë filluar tani të shfaqen. Në kushtet kur tensionet në Liban janë duke u intensifikuar mes besimtarëve suni dhe atyre shi’itë, që pasqyrojnë palët kundërshtare në Siri, xhihadistët po e ndjejnë veten më të fuqishëm. Gjenerali Jaber shpreh shqetësimin se ushtria libaneze nuk është e pajisur siç duhet për përballimin e kësaj sfide.

“Qeveria libaneze është e dobët dhe ushtria ka pak prestigj dhe moral. Ushtria në Liban nuk ka patur pajisjet e nevojshme me metariale dhe personel.”

Përleshjet në Sidon kohët e ffundit e kanë dobësuar edhe më tej Libanin, duke sjellë me vete frikën për shtimin e ndikimit të al-Qaidës në këtë vend.
XS
SM
MD
LG