Lidhje

Krijohet kabineti i ri qeveritar në Liban


Libani ka njoftuar krijimin e një kabineti të ri ku përfshihen një numër grupesh politike. Ky akt mbyll ciklin e përplasjeve të shumta, veçanërisht lidhur me luftën në Siri.

Kryeministri Tamam Salam njoftoi dje qeverinë e tij të unitetit kombëtar me 24 anëtarë.

Parlamenti kishte emëruar ligjvënësin suni Tamam Salam si kryeministër në prill të vitit të kaluar. Por rivalitetet mes koalicionit të 8 Marsit të dominuar nga Hezbollahu shiit dhe aleancës së 14 Marsit të udhëhequr nga sunitë, nuk e kishte lejuar zotin Salam të krijonte qeverinë.

Marrëveshja u arrit kur aleanca e 14 Marsit ra dakord të tërhiqte kandidatin e saj për ministër të brendshëm pas kundërshtimeve të forta të Hezbollahut.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban ki-moon përshëndeti krijimin e kabinetit, duke thënë se problemet e vendit në sferën e sigurisë kombëtare, ekonomisë dhe gjendjes humanitare duhet të nxisin qeverinë të veprojë pa vonesë për të gjetur zgjidhje për sfidat.
XS
SM
MD
LG