Lidhje

Gadafi: Protestat nuk do të më detyrojnë të jap dorëheqjen

  • Zëri Amerikës

Gadafi: Protestat nuk do të më detyrojnë të jap dorëheqjen

Gadafi: Protestat nuk do të më detyrojnë të jap dorëheqjen

Udhëheqësi libian Moamar Gadafi thotë se protestat anti-qeveritare nuk do ta detyrojnë të japë dorëheqjen dhe se ai parashikon se do të vdesë si dëshmor në Libi.

Gadafi mbajti sot fjalim në televizionin shtetëror libian për më shumë se një orë. Ky ishte fjalimi i parë i hollësishëm drejtuar vendit, që nga fillimi i protestave.

Duke e cilësuar veten si “revolucionar”, zoti Gadafi u bëri thirrje përkrahësve të ndihmojnë për mbrojtjen e Libisë nga ata që nxisin trazira – individë që ai i cilësoi si banditë dhe terroristë.

Në një moment, zoti Gadafi ngriti një libër të gjelbër që duket se shërben si udhëzues për filozofinë e tij politike, një vepër që ai e shkroi në vitet 1970, pak pasi erdhi në fuqi në Libi. Me librin në njërën dorë, ai kërcënoi me dënim me vdekje këdo që merr armët kundër Libisë apo është i angazhuar në spiunazh.

Ndërkaq, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit po zhvillon sot një sesion special për të diskutuar situatën në Libi.

Gadafi përjeton ditë të vështira

Udhëheqësi libian po humb përkrahjen e figurave kryesore në qeverinë e tij, ndërkohë që zyrtarë libianë në vend dhe jashtë po japin dorëheqjen apo po e braktisin atë pas shtypjes së protestave në të gjithë vendin që kërkojnë largimin e tij. Zoti Gadafi dha një deklaratë të shkurtër në televizion dje, ku thoshte se donte të përgënjeshtronte njoftimet se ishte larguar nga vendi.

“Të jeni të sigurt se unë do të dilja të bisedoja me të rinjtë në Sheshin e Gjelbër dhe të rrija me ta gjithë natën, por po bie shi. Vetëm desha t’i tregoj atyre se jam në Tripoli dhe jo në Venezuelë. Mos u besoni lajmeve që dëgjoni,”- tha ai.

Kjo ishte deklarata e parë publike e zotit Gadafi që kur filluan demonstratat në Libinë lindore të hënën e kaluar dhe më pas u përhapën në Tripoli.

Diplomatët libianë në disa vende deklaruan se i kishin tendosur marrëdhëniet me zotin Gadafi në shenjë proteste ndaj sulmeve të forcave të tija kundër protestuesve anti-qeveritarë.

Zëvendës ambasadori libian në OKB Ibrahim Dabashi e akuzoi udhëheqësin e Libisë se po kryente genocid kundër popullit të tij dhe bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar t’i bënte presion zotit Gadafi:

“Ne i kërkojmë komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë hapa për të ndihmuar popullin libian dhe t’i mbrojë ata nga genocidi që po përjetojnë tani.”

Dëshmitarët në Tripoli thanë se helikopterët dhe aeroplanët libianë të luftës sulmuan zonat civile dje, ndërsa mercenarët afrikanë dhe njerëzit e armatosur të Gadafit hapën zjarr për të terrorizuar popullatën.

Televizioni shtetëror libian tha sot se njoftimet e shtypit të huaj për masakra në vend ishin gënjeshtra që synonin të shkatërronin moralin e publikut.

XS
SM
MD
LG