Lidhje

Libi: Vazhdojnë luftimet, kryengritësit kontrollojnë shumicën e Tripolit


Libi: Vazhdojnë luftimet, kryengritësit kontrollojnë shumicën e Tripolit
Libi: Vazhdojnë luftimet, kryengritësit kontrollojnë shumicën e Tripolit

Në Libi, luftëtarët e opozitës i dhanë edhe një shtytje betejës së tyre kundër sundimit të udhëheqësit libian Moamar Gadafi. Ata thonë se kanë nën kontroll pjesën më të madhe të kryeqytetit, ndërkohë që luftimet vazhduan edhe sot, pasi ende ka xhepa rezestence.

Kryengritësit thanë se luftimet shpërthyen pasi tanket dolën nga kompleksi Bab al-Azizija i zotit Gadafi dhe hapën zjarr. Vendndodhja e zotit Gadafi nuk dihet.

Luftimet pasuan avancimin e kryengritësve matanë vijave mbrojtëse të Tripolit dhe hyrjen e tyre në Sheshin e Gjelbër në qendër të kryeqytetit, ku mijëra banorë mirëpritën kryengritësit e opozitës. Këta të fundit hasën në pak qëndresë, ndërsa avancuan në qytet nga perëndimi, pasi futën nën kontroll një bazë të rëndësishme ushtarake afër kryeqytetit. Një zëdhënës i kryengritësve tha se një grup luftëtarësh hynë në kryeqytet nga deti nëpërmjet portit të Misratës.

"Në këtë ditë të madhe në histori, të historisë së Libisë dhe historisë humane, do të thuhet se populli i madh i Libisë i dha botës një dhuratë, që shënoi fundin e regjimit të një tirani. Një njeri që u përpoq të shkatërronte gjithë botën dhe që nuk ishte vetëm armik i popullit libian, por ishte armik i gjithë njerëzimit", tha zëdhënësi i opozitës, kolonel Ahmed Bani.

Pas mbërritjes së kryengritësve, libianët entuziastë në sheshin simbolik, të cilin kryengritësit i kanë ndruar emrin në Sheshi i Martirëve, grisën pankartat e zotit Gadafi dhe shkelën mbi to.

Deri kohët e fundit, qeveria e kishte përdorur këtë shesh për demonstrata masive në mbështetje të zotit Gadafi.

Kryengritësit thonë se kanë ndaluar dy djemtë e zotit Gadafi, përfshirë edhe Seif al-Islamin, i cili mendohej se do të ishte pasardhës i të jatit.

Udhëheqëqit e opozitës u thanë gazetarëve se djali i madh i zotit Gadafi, Mohammed, iu dorëzua forcave kryengritëse.

"Është e qartë se regjimi i Gadafit po bie. Sa më parë që Gadafi ta kuptojë se nuk mund të fitojë betejën kundër popullit të tij, aq më mirë do të jetë, në mënyrë që populli libian të mos përjetojë vuajtje dhe gjakderdhje të tjera", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Grumbuj të mëdhenj njerzish dolën nëpër rrugët e Bengazit, kryeqyteti i Libisë lindore, e kontrolluar nga kryengritësit, pas njoftimeve rreth sulmit kryengritës ndaj Tripolit dhe shpresave se regjimi i zotit Gadafi po binte.

Dje, televizioni shtetror i Libisë transmetoi një numër mesazhesh mospërfillëse audio të zotit Gadafi. Në mesazhin më të fundit, ai e pranoi se forcat e opozitës kishin hyrë në Tripoli dhe paralajmëroi se kryeqyteti do të shndërohej në një Bagdat të dytë. Udhëheqësi libian tha se ai do të qëndronte në kryeqytet “deri në fund” për ta mbrojtur atë dhe u bëri thirrje përkrahësve të tij që të ndihmojnë për çlirimin e Tripolit.

XS
SM
MD
LG