Lidhje

Libi: NATO merr komandën e operacioneve në Libi

  • Zëri Amerikës

Libi: NATO merr komandën e operacioneve në Libi

Libi: NATO merr komandën e operacioneve në Libi

NATO mori komandën e plotë të të gjitha operacioneve ajrore mbi Libi nga Shtetet e Bashkuara që deri tani kishin rolin udhëheqës që nga fillimi i zbatimit të zonës së ndalim fluturimit. Dje, njoftime të medias amerikane thanë se presidenti Barak Obama ka dhënë një autorizim sekret për operacione të fshehta në mbështetje të rebelëve anti-qeveritarë. Ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Libisë, Musa Kusa, arriti në Britani pasi deklaroi se po largohej nga qeveria e Moamar Gadafit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Foh Rasmusen tha se tranzicioni përfundoi sot. Operacioni i NATO-s i quajtur “Mbrojtësi i Bashkuar” do të zbatojë rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për zonën e ndalim-fluturimeve, embargon e armëve dhe sulmet ajrore për mbrojtjen e civilëve.

“NATO-ja do të zbatojë rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila kërkon zbatimin e embargos së armëve. Ne jemi atje për të mbrojtur popullin libian dhe jo për ta armatosur atë.”

Ndërkohë, njoftimet në median amerikane thanë se CIA ka dërguar njësi operativësh në Libi për mbledhjen e informacioneve të zbulimit dhe për të kontaktuar me forcat anti-Gadafi. Operacionet thuhet të jenë autorizuar në mënyrë të fshehtë nga presidenti Barak Obama.

Njoftimet citojnë zyrtarët të kenë thënë se agjentët e zbulimit po përpiqen të kuptojnë identitetin dhe aftësitë e forcave rebele, para se të vendosin nëse do t’u sigurojnë atyre ndihmë ushtarake.

“Ne po e shqyrtojmë me kujdes çështjen e ndihmës për opozitën, dhe po përpiqemi të gjejmë mënyra se si mund t’i ndihmojmë ata me mënyra të ndryshme, përveç armëve tani për tani. Ndërsa më vonë do të shohim se çfarë rruge do të marrë situata.”

Një zëdhënës i opozitës libiane nuk pranoi të konfirmonte kontaktet me Shtetet e Bashkuara.

“E dimë se ka ardhur një përfaqësues i Shteteve të Bashkuara, por unë nuk mund ta konfirmoj apo ta mohoj se ai ndodhet këtu.”

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm libian Musa Kusa ka arritur në Britani dhe ka deklaruar se po largohet nga qeveria e Muamar Gadafit.

Sekretari i Jashtëm britanik Uilliam Hejg tha se largimi i zotit Kusa tregon se qeveria e kolonel Gadafit është e përçarë dhe po shpërbëhet.

Një zëdhënës i qeverisë libiane mohoi që ministri i jashtëm të kishte braktisur postin e tij, duke thënë se ai ishte në Britani me mision diplomatik.

XS
SM
MD
LG