Lidhje

Libi: Përpjekjet e presidentit jugafrikan për marrëveshje, pa rezultat


Libi: Përpjekjet e presidentit jugafrikan për marrëveshje, pa rezultat
Libi: Përpjekjet e presidentit jugafrikan për marrëveshje, pa rezultat

Presidenti i Afrikës së Jugut, Xhejkob Zuma, ka bërë pak përparim në përpjekjet për të arritur një marrëveshje paqeje në Libi me udhëheqësin Muamer Gadafi, ndërkohë që tetë oficerë ushtarakë braktisin radhët e qeverisë libiane.

Zoti Zuma i tha medias libiane dje në Tripoli se zoti Gadafi dëshiron që armëpushimi të përfshijë përfundimin e bombardimeve nga NATO, kushte që u refuzuan muajin e kaluar pas një ndërmjetësimi të mëparshëm nga presidenti jugafrikan. Zoti Zuma gjithashtu nuk tha se udhëheqësi libian është i gatshëm të tërhiqet nga pushteti, kërkesa kryesore e kryengritësve, të cilët e refuzuan ofertën menjëherë.

Pamjet në televizionin libian, në të cilat u shfaq zoti Gadafi duke pritur Presidentin Zuma, shënojnë paraqitjen e parë publike të udhëheqësit libian që nga 11 maji.

Në prill, zoti Zuma kryesoi një delegacion të Bashkimit Afrikan për në Tripoli me një propozim për armëpushim. Zoti Gadafi tha se do të pranonte kushtet, por ai rifilloi shpejt sulmet, ndërkohë që kryengritësit anti-qeveritarë refuzuan armëpushimin sepse nuk përfshinte largimin e udhëheqësit libian nga pushteti.

Ndërkaq, tetë oficerë të lartë të ushtrisë libiane mbajtën një konferencë shtypi dje në Romë, duke pohuar se janë pjesë e një grupi prej 120 ushtarakësh, që së fundmi janë larguar nga shërbimi për qeverinë libiane.

Paraqitja e pesë gjeneralëve, dy kolonelëve dhe një majori u organizua nga qeveria italiane.

XS
SM
MD
LG